Një ushtar izraelit ka qëlluar një burrë palestinez, duke e plagosur në këmbë, ndërsa kolonët po përballeshin me banorët e fshatit pasi po kullotnin bagëtinë në tokë në pronësi palestineze, në qytetin Faqqua në Bregun Perëndimor të pushtuar.
Dëshmitarët thanë se një grup kolonësh kishte hyrë në zonë me bagëtinë e tyre, duke bërë që banorët të përpiqeshin t’i ndalonin.
Më pas ndërhynë forcat izraelite dhe, sipas burrave të pranishëm në vendngjarje, hapën zjarr ndaj banorëve.
Njëri prej tyre qëlloi Qassem Hussam-in, një palestinez rreth të 30-ave, duke e plagosur në këmbë, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
I kontaktuar nga “The Guardian“, IDF-ja (Forcat e Mbrojtjes së Izraelit) konfirmoi se kishte marrë një raportim për incidentin dhe se personi që qëlloi ishte një nga ushtarët e saj.
“Më herët sot [e shtunë], u mor një raportim lidhur me tensione midis civilëve izraelitë dhe palestinezëve pranë zonës së Faqqua-s”, ka thënë IDF-ja. “Një forcë e IDF-së që ndodhej në vendngjarje qëlloi në ajër dhe në drejtim të një palestinezi”.
Mohammed al-Sheikh, 34 vjeç, i cili qëndronte pranë Hussam-it, i tha “The Guardian”-it se përplasja nisi kur banorët e fshatit hasën kolonë izraelitë që po kullotnin bagëtinë në tokë në pronësi palestineze.
“Pastaj erdhën ushtarët izraelitë”, ka shtuar al-Sheikh. “Ata filluan të qëllonin. Një ushtar qëlloi Hussam-in dhe ai ra në tokë. Ne shkuam menjëherë për ta ndihmuar dhe për ta larguar. Nuk mundëm të sillnim një ambulancë në zonë, ndaj e dërguam në spital me një makinë private”.
Hussam u dërgua në spital në gjendje të lehtë deri mesatare, sipas Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze.
Ushtria izraelite theksoi se incidenti po shqyrtohej nga komandantët dhe se gjetjet do t’u përcilleshin autoriteteve përkatëse për shqyrtim.
IDF-ja shtoi se ushtria po hetonte ushtarin që qëlloi palestinezin, me sa duket në shkelje të protokollit ushtarak, sipas “Times of Israel”. /Telegrafi/