Gjykata Penale e Parisit ka dënuar me nëntë vjet burg dhe një gjobë prej 80 mijë eurosh Ilyas Kherbouch, i njohur me nofkën Ganito, për rolin e tij si organizator i grabitjes së dhunshme në shtëpinë e Gianluigi Donnarummas dhe partneres së tij, Alessia Elefante, në korrik të vitit 2023.
Ngjarja e rëndë kishte ndodhur në banesën e portierit në Paris, në kohën kur ai ishte pjesë e Paris Saint-Germainit. Donnarumma dhe Elefante ishin sulmuar dhe neutralizuar nga grabitësit, të cilët kishin arritur të merrnin sende me vlerë rreth një milion euro.
Grabitja përfshinte ora luksoze, bizhuteri, para të gatshme dhe çelësa të automjeteve luksoze. Në atë kohë, Elefante ishte shtatzënë dhe pësoi një abort pak kohë pas sulmit.
Kherbouch, 21-vjeçar, është shpallur fajtor për drejtimin e operacionit kriminal dhe është dënuar me nëntë vjet burg, krahas gjobës prej 80 mijë eurosh.
Ndërkohë, një tjetër i akuzuar, Moktar Diop, është dënuar me pesë vjet burg, prej të cilave dy janë pezulluar.
Khyan Mamouni, i cili nga prokuroria ishte cilësuar si një tjetër organizator kryesor i grabitjes, është shpallur i pafajshëm dhe është liruar nga akuzat.
Donnarumma dhe partnerja e tij nuk morën pjesë në procesin gjyqësor, i cili u zhvillua më 10 dhe 11 shtator.
Seanca u ndërpre përkohësisht për shkak të fyerjeve dhe kërcënimeve të bëra nga Kherbouch. Ai kishte arritur të arratisej nga burgu i Villepinte në muajin mars, përpara se të kapej sërish nga autoritetet.
Donnarumma, i cili tashmë është pjesë e Manchester Cityt, dhe Elefante mbetën viktimat e një prej grabitjeve më të rënda të kryera ndaj një futbollisti në Francë./Telegrafi/