Qendra për Paqe dhe të Drejtat e Njeriut e Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë ka marrë pjesë në takimin përkujtimor me rastin e 25-vjetorit të sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001.
Takimi është organizuar nga Peja Peace Forum, në partneritet me Qendrën për Paqe dhe të Drejtat e Njeriut, Rotary Club Peja dhe me mikpritjen e Kuvendit Komunal të Pejës.
Aktiviteti ka bashkuar përfaqësues institucionalë, partnerë vendorë e ndërkombëtarë dhe pjesëmarrës të tjerë, me qëllim të reflektimit mbi paqen, të drejtat e njeriut dhe sfidat e kohës.
Reflektime mbi 11 shtatorin dhe inteligjencën artificiale
Në kuadër të takimit janë zhvilluar reflektime personale mbi ngjarjet e 11 shtatorit 2001, duke trajtuar ndikimin e terrorizmit në të drejtat e njeriut dhe ndryshimet në raportin mes sigurisë dhe lirisë.
Po ashtu, është mbajtur tryeza e rrumbullakët me temën “Rruga përpara: A na bën Inteligjenca Artificiale më produktivë sot – por më pak të aftë nesër?”.
Diskutimi është fokusuar në ndikimin e inteligjencës artificiale në të drejtat e njeriut, përgjegjësinë e algoritmeve, mbrojtjen e të dhënave dhe sfidat që teknologjia paraqet për arsimin dhe shoqërinë.
Në këtë kuadër, është theksuar nevoja për politika të qarta institucionale për përdorimin e inteligjencës artificiale, edukim kritik për teknologjinë, mbrojtjen e gjuhës shqipe dhe garantimin që vendimet që prekin të drejtat e njeriut të mos merren pa mbikëqyrje dhe përgjegjësi njerëzore.
Kurorë me lule dhe performancë artistike
Pas tryezës së diskutimit, delegacioni i Universitetit “Haxhi Zeka” ka vendosur kurorë me lule te Memoriali i 11 Shtatorit në Pejë.
Në këtë ceremoni kanë marrë pjesë edhe përfaqësuesja e Ambasadës Amerikane, Brooke Young, drejtues komunalë dhe partnerë të tjerë të aktivitetit.
Kontribut në programin përkujtimor ka dhënë edhe Fakulteti i Arteve i Universitetit “Haxhi Zeka”.
Studentja Yllka Demukaj, e shoqëruar nga korrepetitori Gent Kumnova, ka interpretuar një këngë përkujtimore.
Aktiviteti ka shërbyer si një mundësi për të rikujtuar rëndësinë e paqes, kujtesës dhe përgjegjësisë institucionale në mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
Qendra për Paqe dhe të Drejtat e Njeriut e Universitetit “Haxhi Zeka” synon të kontribuojë në edukimin, hulumtimin dhe bashkëpunimin institucional në fushën e paqes dhe të drejtave të njeriut.