CIA ka publikuar dosje të deklasifikuara për 11 shtatorin.
Midis 71 informimeve të sapobëra publike është edhe ky detaj nga një memo e datës 10 shtator 1998, e titulluar “Vendndodhja dhe qëllimet e Bin Ladenit”.
“Bin Laden në fund të muajit të kaluar tha se opsioni i tij i preferuar është të sulmojë SHBA-në në tokën e saj në Uashington”, thuhet në të.
“I njëjti grup përgjegjës për bombardimet në Afrikë mund të fluturojë me një aeroplan të mbushur me eksploziv në një qytet amerikan”, shton memo.
Dokumenti gjithashtu thotë se nuk ka “asnjë informacion përfundimtar mbi qëllimet e Bin Ladenit për sulme të ardhshme”.
Këto dosje, të cilat mbulojnë periudhën midis shkurtit 1998 dhe 12 shtatorit 2001, janë pjesë e asaj që CIA e quan “deklasifikimi në shkallën më të madhe të dokumenteve rreth sulmeve që nga raporti i Komisionit të 11 shtatorit në vitin 2004”.
Dokumenti thotë gjithashtu se Bin Ladeni po shqyrtonte edhe “sulme të tjera anti-amerikane”.
Ndryshe, 25 vjet pas sulmeve të 11 shtatorit 2001, pasojat e tyre vazhdojnë të ndikojnë në politikën globale, sigurinë dhe konfliktet nga Lindja e Mesme deri në Azinë Jugore.
Sulmet, të kryera nga 19 rrëmbyes të Al-Kaedas me katër avionë pasagjerësh, vranë 2.977 persona në New York, Pentagon dhe pranë Shanksville, Pensilvani.
Ato nxitën “luftën kundër terrorit”, të udhëhequr nga SHBA-ja, pushtimin e Afganistanit, krijimin e institucioneve të reja të sigurisë, Guantanamon, luftën në Irak dhe ngritjen e grupeve të reja militante.
Sipas projektit “Costs of War” të Universitetit Brown, konfliktet pas 11 shtatorit 2001 kanë shkaktuar mbi 900 mijë vdekje të drejtpërdrejta, përfshirë më shumë se 400 mijë civilë ndërsa SHBA-ja ka shpenzuar ose angazhuar mbi 8 trilionë dollarë deri në vitin 2021.
25 vjet pas sulmeve, pasojat e tyre mbeten të dukshme në mbarë botën: nga zgjerimi i mbikëqyrjes dhe ndryshimi i sigurisë në aeroporte, te konfliktet, zhvendosjet e popullsive dhe arkitektura globale kundër terrorizmit.