Rasti që ka dominuar debatin publik në Greqi dhe Qipro lidhet me një prej yjeve më të mëdhenj të muzikës greke, i cili ishte mjaft i njohur edhe në Ballkan. Giorgos Mazonakis pësoi arrest kardiak në një klinikë private në Athinë, ndërsa autoritetet po hetojnë dy aparatura për plazmaferezë dhe kronologjinë e ngjarjeve që i paraprinë vdekjes së tij.
Hetimi për vdekjen e papritur të Mazonakis, një prej këngëtarëve më të njohur grekë të tri dekadave të fundit, tashmë është në qendër të vëmendjes publike në Greqi dhe Qipro.
Një zhvillim i rëndësishëm ndodhi të enjten në mbrëmje, kur autoritetet greke arrestuan dy mjekët e lidhur me klinikën private në qendër të Athinës, ku Mazonakis kishte shkuar për një seancë të planifikuar plazmafereze, para se të pësonte arrest kardiak.
Ndaj tyre është ngritur një dosje për veprën penale greke të ekspozimit ndaj rrezikut që ka rezultuar me vdekje. Rasti pritet të vijojë tashmë përmes procedurave të prokurorisë.
Vdekja e artistit 54-vjeçar vazhdon të jetë një prej lajmeve kryesore në të dyja vendet, ku Mazonakis gëzonte një popullaritet të madh, ndërsa rastin po e ndjekin edhe mediat në vende të ndryshme të Ballkanit.
– YouTube youtu.be
Vëmendja tashmë është përqendruar te rrethanat që i paraprinë vdekjes së tij. Giorgos Mazonakis kishte shkuar në një klinikë private në qendër të Athinës për një seancë të planifikuar plazmafereze, një procedurë terapeutike të specializuar që përdoret për largimin e plazmës nga gjaku, para se papritur të rrëzohej.
Autoritetet duhet të sqarojnë një sërë pyetjesh të rëndësishme: çfarë ishte planifikuar saktësisht, nëse procedura kishte filluar apo jo, kush ishte përgjegjës për të, çfarë vlerësimi mjekësor i kishte paraprirë dhe nëse klinika kishte licencën e nevojshme, pajisjet e përshtatshme dhe stafin e specializuar.
Ndërkohë, ekspertiza mjekoligjore pritet të përcaktojë shkakun e vdekjes dhe të ndihmojë në sqarimin nëse ekziston ndonjë lidhje mes procedurës dhe asaj që ndodhi në klinikë.
Tri dekada në skenën muzikore greke
Giorgos Mazonakis lindi në Nikaia të Pireut në vitin 1972 dhe për më shumë se 30 vjet ishte një prej figurave kryesore të muzikës greke.
Ai nisi të këndonte profesionalisht në moshë të re. Në vitin 1992, teksa performonte në një lokal nate në Patra, u zbulua nga kompania diskografike PolyGram, ndërsa një vit më vonë publikoi albumin e tij të parë.
Në vitet që pasuan, ai u shndërrua në një prej emrave më të njohur të muzikës bashkëkohore greke “laïko”, një zhanër i muzikës popullore greke me rrënjë në vitet ’50 dhe ’60. Mazonakis solli një varg hitesh të suksesshme dhe për dekada ishte një prej emrave më të pranishëm në jetën e natës dhe skenën muzikore greke.
Përtej Greqisë, ai kishte një numër të madh fansash edhe në Qipro dhe në komunitetet greke të diasporës, ndërsa kishte performuar në vende si Gjermania, Australia dhe Shtetet e Bashkuara.
Vitet e fundit, ai ishte gjithashtu pjesë e jurisë së programit të njohur “The Voice of Greece”.
Popullariteti i tij shtrihej edhe përtej audiencës greqishtfolëse, veçanërisht në Ballkan. Ai kishte performuar në Sofje që në vitin 2012 dhe u rikthye atje për një koncert në vitin 2023, ndërsa në dhjetor të vitit 2024 performoi në Tiranë.
Lajmi për vdekjen e tij u raportua menjëherë edhe nga mediat në Bullgari dhe Shqipëri.
Çfarë po hetojnë autoritetet
Një prej çështjeve kryesore që autoritetet po përpiqen të sqarojnë është se çfarë ndodhi saktësisht para arrestit kardiak dhe nëse trajtimi i planifikuar kishte filluar.
Sipas raportimeve të mediave greke, mjekja që dyshohet se ishte përgjegjëse për trajtimin e Mazonakis ka dëshmuar se plazmafereza ende nuk kishte filluar dhe se gjendja e këngëtarit ishte përkeqësuar papritur ndërsa po përgatitej procedura.
Të njëjtat raportime, duke iu referuar dëshmisë së saj, bëjnë të ditur se Mazonakis kishte vizituar klinikën edhe një ditë më parë. Mjekja thuhet se e kishte përshkruar gjendjen e tij si tashmë të rënduar dhe kishte përmendur edhe vështirësi në të folur.
Për këtë arsye, autoritetet pritet të shqyrtojnë se cilat simptoma ishin regjistruar, çfarë analizash ishin kryer, çfarë historie mjekësore ishte marrë dhe mbi çfarë baze ishte vlerësuar se procedura e planifikuar mund të kryhej.
Bashkëshorti i mjekes, i cili është gjithashtu mjek dhe në emër të të cilit është e regjistruar klinika, raportohet t’u ketë thënë hetuesve se nuk e kishte trajtuar personalisht Mazonakisin dhe se trajtimin e këngëtarit e kishte marrë përsipër bashkëshortja e tij.
Hetimet e reja policore kanë ngritur edhe më shumë pikëpyetje rreth asaj që ka ndodhur brenda klinikës.
Të enjten, policia kreu një kontroll të gjatë në ambientet e klinikës, ku sekuestroi pajisje elektronike, dokumente, produkte mjekësore dhe materiale të tjera. Më pas, kontroll u krye edhe në banesën e dy mjekëve.
Sipas televizionit publik grek ERTnews, ekipet e emergjencës u kanë thënë hetuesve se aparatura për plazmaferezë ishte në funksion kur ata mbërritën në klinikë. Një kontroll fillestar teknik raportohet të ketë treguar gjithashtu se gjatë përdorimit të fundit aparatura kishte qëndruar e ndezur për 45 minuta. Një ekzaminim më i detajuar pritet të përcaktojë saktësisht se kur ishte përdorur ajo.
Policia po shqyrton gjithashtu një mospërputhje në kronologjinë e ngjarjeve. Mjekja raportohet të ketë thënë se Mazonakis kishte mbërritur rreth orës 16:30, ndërsa shërbimet e emergjencës ishin thirrur pak më herët. Hetuesit besojnë se këngëtari kishte qëndruar në klinikë për të paktën tri orë.
Pas shqyrtimit të provave të reja, dy mjekët u arrestuan dhe ndaj tyre u hap dosje për veprën penale të ekspozimit ndaj rrezikut që ka rezultuar me vdekje.
Ministri grek i Shëndetësisë: “Një procedurë shumë e rëndë”
– YouTube youtu.be
Paralelisht, po zhvillohet edhe një inspektim për licencimin dhe kushtet e funksionimit të klinikës.
Ministri grek i Shëndetësisë, Adonis Georgiadis, ka thënë se objekti ishte i regjistruar si një ordinancë e mjekësisë interne dhe jo si klinikë.
Në deklaratat e tij të para, ai tha se kryerja e plazmaferezës në një ordinancë të tillë nuk lejohet dhe urdhëroi një inspektim të menjëhershëm nga Shoqata Mjekësore e Athinës.
Të enjten, ministri iu rikthye kësaj çështjeje, duke e përshkruar plazmaferezën si një procedurë “shumë të rëndë”, e cila, sipas tij, kryhet “vetëm në ambient spitalor”.
Megjithatë, Georgiadis ka theksuar që në fillim se shkaku i saktë i vdekjes dhe nëse ekziston ndonjë përgjegjësi duhet të përcaktohen përmes ekspertizës mjekoligjore dhe hetimit të plotë të rastit.
“Procedurë mjekësore e specializuar”
Gjatë inspektimit të klinikës të enjten, të kryer nga policia dhe përfaqësues të Shoqatës Mjekësore të Athinës, u gjetën dy aparatura për plazmaferezë.
Sipas mediave greke, këto pajisje nuk ishin evidentuar gjatë inspektimeve të Shoqatës në vitet 2024 dhe 2025, ndërsa ende mbeten pikëpyetje nëse për përdorimin e tyre ekzistonte autorizimi përkatës.
Presidenti i Shoqatës Mjekësore të Athinës, Giorgos Patoulis, kishte thënë më herët se objekti ishte i licencuar si ordinancë e mjekësisë interne dhe se Shoqata nuk kishte të dhëna për pajisje të tilla.
Ai kishte theksuar gjithashtu se plazmafereza është “një procedurë mjekësore e specializuar”, e cila kërkon jo vetëm pajisje të përshtatshme, por edhe staf të specializuar dhe respektimin e standardeve të caktuara.
Nga ana tjetër, avokati i dy mjekëve ka deklaruar se aparaturat ishin deklaruar rregullisht pranë Shoqatës Mjekësore dhe se klinika po funksiononte në mënyrë të ligjshme.
Mediat greke po ngrenë gjithashtu pyetje rreth kuadrit rregullator që përcakton mënyrën se si mund të kryhen procedurat e specializuara mjekësore në ordinancat private. Këshilli Qendror i Shëndetësisë pritet të shqyrtojë këtë çështje dhe kushtet në të cilat mund të kryhen ndërhyrje të tilla terapeutike.
Çfarë është plazmafereza?
Plazmafereza terapeutike, e njohur edhe si shkëmbimi terapeutik i plazmës, është një procedurë gjatë së cilës gjaku kalon përmes një pajisjeje të posaçme që ndan dhe largon plazmën, ndërsa qelizat e kuqe dhe të bardha të gjakut, si dhe trombocitet, rikthehen në organizëm. Plazma e larguar zëvendësohet me një solucion të posaçëm.
Sipas mjekëve Konstantinos Giannakas dhe Thanos Dimopoulos, nga Klinika Terapeutike e Universitetit të Athinës, të cilët kanë folur për Agjencinë Athino-Maqedonase të Lajmeve, kjo metodë ka indikacione të caktuara terapeutike dhe përdoret, ndër të tjera, në trajtimin e disa sëmundjeve të rënda hematologjike, neurologjike dhe imunologjike.
Procedura kërkon vlerësim paraprak të gjendjes së pacientit, si dhe monitorim të vazhdueshëm të tensionit të gjakut, rrahjeve të zemrës dhe nivelit të oksigjenit në gjak.
Në përgjithësi, ajo konsiderohet e sigurt kur kryhet sipas kushteve dhe protokolleve të përcaktuara, por mund të shkaktojë efekte të padëshiruara, duke filluar nga ulja e tensionit të gjakut dhe hipokalcemia, e deri te reaksionet alergjike, gjakderdhja ose aritmitë, të cilat shfaqen më rrallë. /Telegrafi/