Peja shënoi 25-vjetorin e 11 Shtatorit me homazhe dhe diskutim për sfidat e Inteligjencës Artificiale.
Peja shënoi 25-vjetorin e sulmeve terroriste të 11 Shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përmes Takimit Veror Përkujtimor “Të Kujtojmë – Kurrë Mos të Harrojmë”.
Ngjarja u organizua nga Peja Peace Forum, me përkrahjen e Universitetit “Haxhi Zeka”, Komunës së Pejës dhe Rotary Club Peja, në kuadër të aktiviteteve përkujtimore kushtuar 25-vjetorit të 11 Shtatorit.
Aktiviteti mblodhi përfaqësues institucionalë, akademikë, përfaqësues të organizatave dhe qytetarë, duke krijuar një hapësirë për përkujtim, reflektim dhe diskutim mbi paqen, sigurinë dhe sfidat e shoqërisë bashkëkohore.
Në kuadër të programit u mbajt tryeza e rrumbullakët me temën “Rruga përpara: A na bën Inteligjenca Artificiale më produktivë sot – por më pak të aftë nesër?”.
Në diskutim morën pjesë Dr. Neshad R. Albani, themelues i Peja Peace Forum, kryetari i Pejës Gazmend Muhaxheri, rektori i Universitetit “Haxhi Zeka”, Prof. Dr. Armand Krasniqi, Tina Ramirez nga Hardwired Global, kryetari i Rotary Club Peja, Ilir N. Albani, përfaqësues të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Kosovë, si dhe përfaqësues të tjerë institucionalë, akademikë dhe të ftuar.
Diskutimi u fokusua në ndikimin e Inteligjencës Artificiale në punë, arsim dhe vendimmarrje, por edhe në sfidat që lidhen me ruajtjen e të menduarit kritik, gjykimit të pavarur dhe aftësive njerëzore.
Në një prononcim për Telegrafin, Dr. Neshad R. Albani tha se 11 Shtatori mbetet një prej ngjarjeve që ndryshoi mënyrën se si bota e percepton sigurinë.
“Njëmbëdhjetë Shtatori është një datë shumë e rëndësishme për globin dhe në veçanti për popullin amerikan. Ajo ngjarje e ndryshoi perceptimin për sigurinë”, tha Albani.
Sipas tij, aktiviteti i këtij viti ka ndërthurur përkujtimin e viktimave me diskutimet për të ardhmen, përfshirë paqen, sigurinë dhe zhvillimin e Inteligjencës Artificiale.
Në kuadër të ceremonisë përkujtimore, pranë Memorialit të 11 Shtatorit në Pejë u mbajt një minutë heshtje dhe u vendosën kurora me lule në nderim të viktimave.
Ceremonia u shoqërua edhe me një interpretim koral përkujtimor nga Fakulteti i Arteve i Universitetit “Haxhi Zeka”.
Albani bëri të ditur se synimi është që në vitet e ardhshme ky aktivitet të zgjerohet edhe më shumë, duke përfshirë nxënës, studentë dhe aktivitete kulturore e edukative gjatë gjithë ditës.
Takimi u përmbyll me mesazhin “Të Kujtojmë – Kurrë Mos të Harrojmë”.