Mesazhi që ia dha një studenti të ri në vitin 1955 sot tingëllon edhe më fuqishëm: ajo që marrim nga jeta nuk është gjithmonë matësi më i rëndësishëm i saj
Pothuajse gjithë jetën mësojmë si të bëhemi të suksesshëm: të përfundojmë shkollimin, të gjejmë një punë të mirë, të përparojmë, të fitojmë më shumë dhe të arrijmë në atë pikë ku edhe të tjerët mund të shohin se “ia kemi dalë”.
Albert Ajnshtajnit i atribuohet një këshillë që, disa muaj para vdekjes, ia dha një të riu dhe që ofron një mënyrë krejt tjetër për ta matur një jetë të mirë.
Sot kjo fjali qarkullon në internet në shumë versione, por, ndryshe nga një sërë thëniesh që i atribuohen Ajnshtajnit, kjo lidhet me një bisedë të dokumentuar.
Nuk po i fliste publikut, por një studenti të ri
Ngjarja ndodhi disa muaj para vdekjes së Ajnshtajnit, në vitin 1955.
Në shtëpinë e tij në Princeton kishte shkuar William Miller, redaktor i revistës LIFE. Me vete kishte marrë të birin, Patin, student i vitit të parë në Harvard, i cili po përpiqej të kuptonte se çfarë dëshironte të bënte me jetën e tij.
Ajnshtajni nuk i foli për karrierën, paratë apo famën. I foli për kureshtjen, dijen dhe vlerën e njeriut.
E këshilloi të mos ndalonte së bëri pyetje dhe të mos e humbiste kurrë kureshtjen. Pastaj tha fjalinë që do të bëhej e famshme:
“Mos u përpiq të bëhesh njeri i suksesit, por përpiqu të bëhesh njeri me vlerë.”
Ai shpjegoi edhe dallimin. Sipas tij, njeri i suksesshëm konsiderohet ai që merr nga jeta më shumë sesa i jep asaj, ndërsa njeriu me vlerë jep më shumë sesa merr, transmeton Telegrafi.
Sot kjo porosi duket edhe më aktuale
Në kohën tonë, suksesi i jashtëm matet lehtë. E dimë kush ka pagë më të lartë, pozitë më të mirë, makinë më të shtrenjtë, shtëpi më të madhe apo më shumë ndjekës në rrjetet sociale.
Çdo ditë shohim sukseset e të tjerëve dhe është e lehtë të krijohet përshtypja se të gjithë po ecin më shpejt se ne.
Por shumë gjëra të rëndësishme nuk maten me numra.
Nuk ka statistikë që tregon sa njerëz mund të mbështeten te ju, sa herë keni ndihmuar dikë pa përfituar asgjë, apo nëse njerëzit bëhen më të mirë falë pranisë suaj.
Mund të keni një biografi mbresëlënëse dhe të lini shumë pak pas vetes. Por mund të bëni edhe një jetë që nga jashtë nuk duket spektakolare dhe megjithatë të ndryshoni jetën e shumë njerëzve.
Suksesi dhe vlera nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën
Mesazhi i Ajnshtajnit nuk do të thotë se është gabim të dëshironi një punë të mirë, para, njohje apo avancim.
Problemi lind kur rezultati bëhet i vetmi kriter.
Dy njerëz mund të synojnë të njëjtin avancim. Njëri mund të mendojë vetëm për pozitën që do të fitojë. Tjetri, gjatë rrugës, mund të zhvillojë dijen, të ndihmojë kolegët dhe të bëhet dikush tek i cili të tjerët kanë besim.
Ndoshta të dy do të avancohen. Ndoshta asnjëri. Por ajo që janë bërë gjatë asaj rruge nuk do të jetë e njëjtë.
Suksesi shpesh është rezultati që arrijmë. Vlera është ajo që mbetet edhe kur rezultati mungon.
Ajnshtajni vdiq më 18 prill 1955, ndërsa biseda u publikua në revistën LIFE disa javë më vonë.
Njeriu, emri i të cilit u bë sinonim i gjenialitetit, nuk e këshilloi studentin të bëhej më i pasuri, më i famshmi apo më i miri.
I tha diçka shumë më të thjeshtë:
Përpiqu të jesh njeri me vlerë.
Sepse, në fund, ndoshta matësi më i mirë i një jete nuk është sa kemi marrë prej saj, por sa më e mirë është bërë jeta e dikujt sepse ne kemi qenë pjesë e saj. /Telegrafi/