Pikat e karburantit në Kiev janë goditur nga dronë me motor reaktiv gjatë një vale sulmesh ruse të shënjestruara, ndërsa bombardimet ndaj kryeqytetit të Ukrainës po hyjnë në një fazë të re intensiteti.
Të paktën dy persona humbën jetën dhe 12 të tjerë u plagosën nga goditjet në dy pika karburanti të premten në mëngjes, sipas kryetarit të bashkisë së qytetit, Vitali Klitschko, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Sulmet e kryera gjatë orarit të pikut të trafikut pasojnë një sulm të ngjashëm ndaj një pike karburanti të enjten, i cili ishte i pari i këtij lloji në kryeqytet.
Në pikën e karburantit “Ukrnafta” në lagjen Pochaina, në veri të Kievit, dëshmitarët thanë se tre persona ishin plagosur nga shpërthimi i së premtes: menaxheri i një lavazhi aty pranë, bashkëshortja e tij dhe drejtuesi i një makine që po kalonte. Automjeti i shkatërruar kishte mbetur në anë të rrugës; xhamat ishin thërrmuar dhe sediljet ishin spërkatur me gjak.
Dëshmitarët thanë se kishin dëgjuar dy shpërthime dhe autoritetet vendase deklaruan më vonë se Rusia kishte kryer një sulm të dyfishtë (të njohur si “double-tap”) ndaj objektit.
“Kjo është ndoshta një nga periudhat më të vështira të luftës,…”, ka thënë Anastasiia Demchenko, 30 vjeçe, e cila punon në një kompani dërgesash përballë pikës së karburantit. “Të krijohet ndjesia se jeta është në tehun e thikës”.
Të tre sulmet kishin në shënjestër pika karburanti të operuara nga “Ukrnafta”, një kompani shtetërore për nxjerrjen e naftës dhe gazit natyror.
Sergiy Fedorenko, ushtruesi i detyrës së kreut të “Naftogaz” (kompania mëmë e “Ukrnafta”), tha: “Nuk ka dhe nuk mund të ketë asnjë objektiv ushtarak pas sulmeve të tilla. Ky është terror i drejtuar ndaj popullatës civile, ndaj njerëzve paqësorë”.
Të mërkurën, në Telegram filloi të qarkullonte një listë me 18 pika karburanti në Kiev që parashikohej të goditeshin nga dronët rusë.
Dhe të tri pikat e goditura deri më tani ishin në atë listë.
Kievi është goditur vazhdimisht çdo ditë nga dronët dhe raketat që nga fundi i gushtit, në një kohë kur Ukrainës po i mbarojnë raketat përgjuese “Patriot”.
Një pauzë e shkurtër gjatë fundjavës, për shkak të vizitës së të dërguarve amerikanë Jared Kushner dhe Steve Witkoff, përfundoi të hënën.
Sulmet ndaj pikave të karburantit ndodhën ndërsa Volodymyr Zelensky ndodhej në një udhëtim jashtë vendit, me qëllim sigurimin e mbështetjes dhe ndihmës ndërkombëtare përpara asaj që pritet të jetë një dimër i vështirë.
Të enjten, presidenti ukrainas u takua me kryeministrin e Kanadasë, Mark Carney, i cili ofroi mbështetje për të ndihmuar në shtimin e rezervave të dronëve të Ukrainës. /Telegrafi/