Peja po synon të shndërrohet në një destinacion ndërkombëtar për ngjitje në shkëmbinj përmes festivalit të organizuar nga “Marimangat e Pejës” dhe Federata e Bjeshkatarisë dhe Ngjitjes Sportive e Kosovës.
Festivali ka nisur më 4 shtator dhe do të zgjasë deri më 13 shtator, ndërsa në të po marrin pjesë mbi 20 ekspertë të ngjitjes nga Sllovenia, Gjermania, Zvicra, Holanda, Shqipëria, Italia dhe Kosova.
Pjesëmarrësit po punojnë në mënyrë vullnetare për zhvillimin e zonave të ngjitjes në Pejë. Deri tani janë hapur rreth 15 vija të reja, ndërsa janë pastruar edhe tri zona të tjera të ngjitjes, ku është bërë edhe vlerësimi i sigurisë.
Po ashtu, gjatë festivalit po rivlerësohet shkalla e vështirësisë së vijave ekzistuese dhe po përgatiten harta të veçanta për zonat dhe vijat e ngjitjes.
Sipas organizatorëve, synimi është që vijat e reja dhe zonat e zhvilluara të prezantohen në platformat ndërkombëtare të ngjitjes, duke e bërë Pejën më të njohur në mesin e ngjitësve nga e gjithë bota.
Virtyt Morina ka thënë se festivali paraqet një mundësi të rëndësishme për promovimin ndërkombëtar të Pejës si destinacion për ngjitje dhe turizëm aventuror.
Ai ka bërë të ditur se aktiviteti po promovohet edhe nga organizatat ndërkombëtare UIAA dhe EUMA, të cilat, sipas tij, po kontribuojnë në rritjen e emrit të Pejës në skenën ndërkombëtare të bjeshkatarisë dhe ngjitjes.
Organizatorët kanë bashkëpunuar me Komunën e Pejës, përkatësisht Drejtorinë për Kulturë, Rini dhe Sport, Drejtorinë e Parkut Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna” dhe shoqata të tjera, me synimin që festivali të ketë sukses dhe Peja të promovohet si destinacion ndërkombëtar i turizmit të aventurës.
Ata kanë falënderuar sponsorët, përkrahësit dhe mediat për mbështetjen në organizimin dhe promovimin e festivalit. /njeshi/