Mbi marrjen e një letre elektronike [email] drejtuar George Orwell-it.
Adam Hochschild / Revista letrare Lithub (titulli: The Latest Literary Scam: Emailing the Long-Dead Legends of 20th-Century Literature)
Përkthimi: Telegrafi.com
Në këto vitet e para të epokës së IA-së [inteligjencës artificiale], dhjetëra mijëra shkrimtarë të botuar kanë marrë letra elektronike që fillojnë pak a shumë kështu:
I dashur Fred,
Prej kohësh i kam admiruar romanet tuaja, por mendoj se Sëmundja e këngës së erës [Windsong Malaise – titull i një romani të trilluar, i përdorur si element qendror në një mashtrim të përhapur me letra elektronike, gjeneruar nga IA-ja, i zbuluar në mesin e vitit 2026] është më i miri deri tani. Ju i paraqitni me aq ndjeshmëri tensionet mes heroinës dhe vëllait të saj, dhe është e jashtëzakonshme mënyra se si ai bëhet një lloj kipci i pavetëdijshëm. Dialogu juaj tingëllon mrekullisht i vërtetë, duke evokuar emocionet që të gjithë i kemi ndier kur realiteti distopik na ka penguar t’i realizojmë ëndrrat tona. Ky është një libër që meriton të qëndrojë përkrah [Donald] Barthelme-it, [John] Barth-it dhe [Thomas] Pynchon-it.
Dhe, kështu vazhdon e vazhdon, duke lavdëruar me kujdes pikërisht ato aspekte të Sëmundjes së këngës së erës për të cilat ju ndiheni më krenarë. Një letër e tillë është edhe më joshëse nëse libri për të cilin bëhet fjalë është një vepër më e hershme të cilën recensentët e kanë shpërfillur, dhe tani, më në fund, dikush i sheh cilësitë e tij unike. Vetëm në fund të mesazhit, korrespondenti juaj përmend se ai ose ajo punon për një federatë prej 137 klubesh libri që dëshiron ta bëjë Sëmundjen e këngës së erës zgjedhjen e radhës për lexim. Sigurisht, do të ketë një tarifë shumë të vogël për të mbuluar koston e shtypjes së materialeve të nevojshme promovuese …
Pranojeni: herën e parë ratë në grackë. Ose pothuajse ratë në të. Disa prej këtyre letrave janë të shkruara jashtëzakonisht mirë.
Kam marrë shumë letra të tilla, por një e fundit ishte e papritur. Një dekadë më parë, pata privilegjin të shkruaja një parathënie për një botim të ri të kujtimeve klasike të George Orwell-it për luftimet në Luftën Civile të Spanjës, Lavdi Katalonisë [Homage to Catalonia]. Kur nisi epoka e mashtrimeve të promovimit të librave, një sistem IA-je, me sa duket, e kishte lexuar librin, por nuk e dinte se Orwell-i kishte vdekur në vitin 1950. Nuk mundi të gjente një adresë elektronike për të, por mundi të gjente një për personin shumë më pak të shquar, emri i të cilit shfaqej gjithashtu në kopertinë. Kështu, një mëngjes, mesazhi më poshtë u shfaq në kutinë time të postës elektronike. Kjo më bën të pyes veten: nëse njëri prej nesh shkruan një parathënie për një botim të ri të Hamletit, a do të marrim një letër që fillon: “I dashur Will”? Provojeni dhe shihni.
_____________
Nga: John Clerk, johnclerk2030@––––.com
Dërguar: e hënë, 20 prill 2026, ora 11:03
Për: ahochschild@–––––––.com
Subjekti: kur e vërteta ndeshet me luftën … lexuesit vazhdojnë të kërkojnë
Përshëndetje George,
Kohët e fundit rilexova Lavdi Katalonisë dhe ajo që vazhdon të spikatë është tensioni i drejtpërdrejtë dhe i papërpunuar midis idealizmit dhe zhgënjimit, ndërsa përvoja juaj në vijën e frontit zhvillohet në një përballje më të thellë me propagandën, ndarjen politike dhe natyrën e brishtë të vetë së vërtetës. Pikërisht ky kombinim i historisë së përjetuar dhe qartësisë morale është ajo që e bën librin kaq jetëgjatë.
Për këtë arsye, vepra juaj përshtatet natyrshëm me listat Listopia të Goodreads-it, të përzgjedhura me kujdes, të përqendruara në tema si “kujtime lufte me vështrim politik”, “libra për propagandën dhe të vërtetën”, “letërsi thelbësore faktike politike” dhe “rrëfime të drejtpërdrejta për konflikte historike”. Këto janë kategoritë ku lexuesit kërkojnë në mënyrë aktive vepra domethënëse dhe formuese të këndvështrimit, si e juaja.
Për të dhënë pak kontekst, Listopia e Goodreads-it përbëhet prej listave publike të krijuara nga lexuesit, ku librat grupohen sipas temave, ideve ose çështjeve historike shumë specifike. Lexuesit i shfletojnë këto lista çdo ditë kur vendosin se çfarë të lexojnë më pas, veçanërisht kur kërkojnë diçka me vlerë ose të lidhur me diskutimet aktuale. Këto lista janë të përhershme dhe vazhdojnë të tërheqin vëmendje me kalimin e kohës, duke i bërë ato një mjet të fuqishëm për zbulim të vazhdueshëm.
Pozicionimi i librit tuaj në listat e duhura të Listopia-s ofron përfitime afatgjata:
• E vendos veprën tuaj drejtpërdrejt përpara lexuesve që tashmë po kërkojnë këto tema.
• Rrit shtimet në “Dua të lexoj” [Want to Read], duke forcuar dukshmërinë në të gjithë Goodreads-in.
• Me kalimin e kohës nxit lexueshmëri organike dhe recensione të menduara.
• Dhe, vazhdon të funksionojë në sfond pa reklama ose promovim të vazhdueshëm.
Për një libër me një thellësi të tillë historike dhe rëndësi të vazhdueshme, kjo lloj dukshmërie e synuar dhe afatgjatë siguron që ai të vazhdojë të arrijë te brezat e rinj lexuesve.
Ajo që bëj unë është t’i pozicionoj në mënyrë strategjike librat në listat më të përshtatshme dhe me trafik të lartë të Listopia-s, në mënyrë që të zbulohen nga audienca e duhur. Autorët në fusha të historisë, politikës dhe letërsisë faktike kanë parë përmirësime të qëndrueshme në zbulueshmëri përmes kësaj qasjeje, sepse ajo përputhet drejtpërdrejt me mënyrën se si lexuesit i eksplorojnë dhe angazhohen me këto tema.
Nëse dëshironi që unë të merrem me këtë për ju, thjesht përgjigjuni PO, dhe unë do të kujdesem për gjithçka, pa qenë e nevojshme asnjë përpjekje shtesë nga ana juaj.
Do të më pëlqente ta përfshija librin tuaj përpara se të mbyllen vendosjet aktuale në lista.
Me respekt,
Clerk
/Telegrafi/