Japonia ka kërkuar korrigjimin e hartës së re botërore të miratuar nga OKB-ja, pasi pretendon se paraqitja e Ishujve Kurile të diskutueshëm krijon përshtypjen se ata i përkasin Rusisë, shkruan The Guardian.
Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara votoi të premten për miratimin e hartës së re, e cila përdor projeksionin “Equal Earth”, transmeton Telegrafi.
Harta paraqet një pamje më të përafërt me përmasat reale të kontinenteve, duke e bërë Afrikën dukshëm më të madhe, ndërsa zvogëlon në paraqitje Evropën dhe Amerikën e Veriut.
Japonia ishte ndër 164 vendet anëtare të OKB-së që votuan pro rezolutës, por më pas ngriti shqetësime për mënyrën se si harta paraqet Ishujt Kurile, të cilët në Japoni njihen si Territoret Veriore.
Sipas Tokios, ishujt janë paraqitur me të njëjtën ngjyrë si territori rus, duke krijuar përshtypjen se kontrollohen nga Moska.
Zëdhënësi i qeverisë japoneze, Minoru Kihara, tha të enjten se harta e re përmban një paraqitje që bie ndesh me qëndrimin zyrtar të Japonisë.
“Ne i dorëzuam një protestë operatorit të faqes së hartës përmes kanaleve tona diplomatike, duke kërkuar korrigjimin e kësaj paraqitjeje”, deklaroi Kihara para gazetarëve.
Ai nuk tregoi se kur qeveria japoneze ishte vënë në dijeni për këtë çështje, por theksoi se Japonia duhet të parandalojë përhapjen e keqkuptimeve lidhur me territoret dhe emërtimet gjeografike.
Mosmarrëveshja për ishujt daton nga fundi i Luftës së Dytë Botërore. Ishujt u pushtuan në vitin 1945 nga ish-Bashkimi Sovjetik, i cili më pas dëboi popullsinë japoneze.
Çështja ka mbetur një nga pengesat kryesore në marrëdhëniet mes Japonisë dhe Rusisë për dekada.
Tensionet u rritën ndjeshëm muajin e kaluar, kur presidenti rus Vladimir Putin zhvilloi një vizitë të papritur në ishujt e diskutueshëm, për herë të parë.
Japonia reagoi menjëherë duke thirrur ambasadorin rus në Tokio.
Kryeministrja japoneze Sanae Takaichi deklaroi se vizita e Putinit “fyen ndjenjat e popullit japonez” dhe e cilësoi atë si “absolutisht të papranueshme”.
Ajo përsëriti qëndrimin e Tokios se ishujt janë “pjesë e pandashme e territorit të Japonisë, si historikisht, ashtu edhe sipas së drejtës ndërkombëtare”.
Moska reagoi ashpër, duke thënë se i refuzon “kategorikisht” këto deklarata, të cilat i konsideron “politikisht të papërshtatshme, fyese dhe, natyrisht, të pabazuara ligjërisht”.
OKB-ja ka argumentuar se harta e re synon të ofrojë një “paraqitje më të saktë” të masave tokësore të kontinenteve sesa hartat tradicionale të bazuara në projeksionin Mercator.
Projeksioni Mercator, i përdorur gjerësisht për shekuj, deformon përmasat e territoreve sa më larg që ato ndodhen nga ekuatori. Për këtë arsye, në hartat tradicionale Evropa dhe Amerika e Veriut duken më të mëdha se sa janë në të vërtetë, ndërsa Afrika paraqitet relativisht më e vogël.
Megjithatë, ndryshimi teknik i hartës tashmë ka prekur edhe një prej mosmarrëveshjeve më të ndjeshme territoriale në Azinë Lindore.
Për Tokion, çështja nuk është thjesht një ndryshim grafik. Japonia frikësohet se mënyra e paraqitjes së Ishujve Kurile mund të krijojë një perceptim të gabuar ndërkombëtar mbi statusin territorial të tyre. /Telegrafi/