Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT) ka intensifikuar aksionin e inspektimeve për parandalimin e shitjes së produkteve të duhanit te të miturit dhe për luftimin e tregtimit të kundërligjshëm të tyre.
Kontrollet, përveç shitjes së cigareve elektronike te të miturit, veçanërisht në afërsi të institucioneve arsimore, tashmë janë zgjeruar edhe në marketet e kategorive B dhe C, ku po kontrollohet shitja e cigareve të zakonshme.
Sipas IQMT-së, qëllimi i aksionit është parandalimi i shitjes së kundërligjshme të produkteve të duhanit, përfshirë rastet kur mungon dokumentacioni përkatës ose nuk deklarohet origjina e produkteve.
Vetëm gjatë ditës së sotme, inspektorët kanë realizuar 10 inspektime në Rrafshin e Dukagjinit, përkatësisht në Gjakovë dhe Pejë. Si rezultat, janë shqiptuar dy urdhëresa për eliminimin e parregullsive.
Sipas Ligjit për Mbrojtjen e Konsumatorit, subjektet afariste që shesin produkte të duhanit te të miturit mund të gjobiten nga 1,000 deri në 10,000 euro.
Ndërkaq, për mungesë të dokumentacionit dhe mosdeklarim të origjinës së produkteve të duhanit, Ligji për Inspektoratin Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut parasheh gjoba nga 3,000 deri në 9,000 euro.
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit u ka bërë thirrje qytetarëve që të raportojnë çdo rast të shitjes së cigareve dhe produkteve të tjera të duhanit te të miturit.
Raportimet mund të bëhen përmes numrit për ankesa në Viber: +383 46 311 000.