Në kuadër të projektit EREA po mbahet fushata #TokaJoneShijaJuaj me qëllim promovimin e prodhimeve bujqësore vendore dhe informimin e të rinjve mbi sektorin e bujqësisë. Si pjesë e kësaj fushate, shoqata “Mjedra e Kosovës” organizoi sot një sesion edukativ në shkollën profesionale “Zenel Hajdini” në Ferizaj.
Gjatë ligjëratës, Kujtim Lepaja prezantoi shkurtimisht sektorin e pemëve të imta në Kosovë, me fokus të veçantë te kultivimi i mjedrës, rëndësinë e këtij sektori dhe potencialin që ofron për zhvillimin e bujqësisë dhe krijimin e mundësive për të rinjtë.
Prezantimi u pasua nga një aktivitet interaktiv nga Lindita Ibishi ku nxënësit patën mundësi të testojnë njohuritë e tyre e të garojnë përmes pyetjeve të ndryshme që lidhen me bujqësinë, prodhimin bujqësor dhe pemët e imta. Aktiviteti krijoi një atmosferë dinamike dhe mundësi për pjesëmarrje aktive të nxënësve.
Përmes këtyre aktiviteteve të tilla vetëdijësese, shoqata “Mjedra e Kosovës” synon të afrojë të rinjtë me sektorin e bujqësisë, duke i informuar ata mbi mundësitë dhe duke nxitur interesimin e tyre për zhvillimin e mëtejshëm të bujqësisë në Kosovë.
Shprehim mirënjohje të thellë drejtuesve, profesorëve dhe nxënësve të shkollës profesionale “Zenel Hajdini” në Ferizaj për bashkpunimin dhe mikpritjen.
Projekti EREA (Fuqizimi i Ekonomisë Rurale në Bujqësi) zbatohet nga Caritasi Zviceran dhe financohet nga Bashkëpunimi Austriak për Zhvillim.