Zyrtari rus i futbollit dhe ish-oficeri i inteligjencës, Sergei Pryadkin, është bërë shtetas i Serbisë me vendim të autoriteteve serbe, konstatoi Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë nga analiza e dokumenteve zyrtare të Qeverisë serbe.
Me vendimin e saj, përmes të cilit anashkalohen procedurat e rregullta, Pryadkin e mori shtetësinë serbe më 3 shtator.
Dokumenti, i nënshkruar nga kryeministri serb, Gjuro Macut, u publikua një ditë më vonë në Gazetën Zyrtare.
Në vendim, Qeveria i referohet një dispozite ligjore, sipas së cilës një i huaj mund ta fitojë shtetësinë serbe me procedurë të përshpejtuar, nëse kjo përbën “interes” për shtetin.
Megjithatë, autoritetet nuk dhanë ndonjë arsyetim për këtë vendim, ndërsa raportimet e mediave tregojnë për lidhje të afërta të Pryadkinit me figura kyç të futbollit serb, si drejtori i përgjithshëm i klubit “Crvena Zvezda” dhe kumbara i presidentit të Serbisë, Zvezdan Terziq.
Ekipet serbe kanë vazhduar t’i ruajnë “lidhjet vëllazërore” me klubet dhe kombëtaren ruse, pavarësisht sanksioneve ndërkombëtare të vendosura pas pushtimit rus të Ukrainës, duke ndjekur kështu politikën shtetërore të autoriteteve në Beograd, të cilat, gjatë katër vjetëve të luftës, nuk janë distancuar nga Kremlini.
Që nga fillimi i luftës në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022, në listën e shtetasve të rinj të Serbisë u përfshinë edhe shumë rusë të afërt me regjimin e Vladimir Putinit.
REL-i ka konstatuar më herët se në mesin e tyre kishte shtetas rusë – figura publike, politikanë dhe biznesmenë – të përfshirë në “listat e zeza” të vendeve perëndimore, për shkak të mbështetjes së tyre për luftën.
Për këtë arsye, Beogradi zyrtar është vënë nën vëzhgimin e Bashkimit Evropian.
Kush është Sergei Pryadkin?
Pryadkin, prej kohësh, konsiderohet një nga figurat drejtuese të futbollit rus.
Për 14 vjet, ai drejtoi Premier Ligën ruse, garën elitare të klubeve, deri në vitin 2021, kur dha dorëheqje.
Gjatë karrierës së tij ka qenë edhe nënkryetar i Federatës Ruse të Futbollit.
Funksionet e tij në futbollin rus janë shoqëruar me hulumtime gazetareske, në të cilat janë ngritur dyshime për korrupsion dhe konflikt interesi gjatë blerjes dhe shitjes së lojtarëve – pretendime që organizata kryesore e futbollit rus i ka hedhur poshtë.
Nga Federata Ruse e Futbollit, Pryadkin avancoi edhe drejt Unionit të Federatave Evropiane të Futbollit (UEFA).
Si zyrtar i lartë i futbollit, Pryadkin u dekorua në vitin 2019 me Urdhrin e Nderit nga presidenti rus, Vladimir Putin.
Por, para karrierës në futboll, ai kishte ndërtuar karrierë në strukturat e inteligjencës.
Biografia e tij zyrtare, e publikuar më herët në faqen e Federatës Ruse të Futbollit, tregon se Pryadkin ishte shkolluar në një institucion të KGB-së – policisë sekrete sovjetike – dhe se gjatë viteve ‘90 kishte shërbyer në strukturat ruse të inteligjencës.
Sipas raportimeve të mediave, Sergei Pryadkin gjatë viteve të fundit ka qenë mysafir në Beograd, ku është pritur nga drejtuesi i “Crvena Zvezdës”, Zvezdan Terziq.
Terziq e përshkroi Pryadkinin si “ish-gjeneral të KGB-së” dhe “mikun e tij më të mirë”.
Vazhdon trendi i dhënies së shtetësisë për rusët në Serbi
Edhe pse dyert e Evropës janë të mbyllura për ekipet ruse që nga viti 2022, ekipet serbe kanë vazhduar bashkëpunimin me to.
Në këtë drejtim kanë prirë klubet më të suksesshme serbe – “Crvena Zvezda” dhe “Partizani”.
Ato kanë zhvilluar disa ndeshje miqësore me klube të ligës së parë ruse, me të cilat, siç thuhet, kultivojnë “marrëdhënie vëllazërore”.
Ndërkaq, kombëtarja e Serbisë, në vitin 2024, u bë ekipi i parë evropian që, pas vendosjes së sanksioneve, zhvilloi një ndeshje miqësore me kombëtaren ruse në Moskë, nën sloganin “duel vëllazëror”.