KORREKT / SOT10 nëntor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Lajme

Arrestimi i pesë zyrtarëve, Prebreza: Menjëherë pas kthimit do ta shkarkoj drejtorin e Pronës

Arrestimi i pesë zyrtarëve, Prebreza: Menjëherë pas kthimit do ta shkarkoj drejtorin e Pronës

Kryetari i Komunës së Fushë Kosovës, Valon Prebreza, ka paralajmëruar se do ta lirojë nga detyra Drejtorin e Pronës, Gëzim Zogiani, i cili është në mesin e pesë zyrtarëve të arrestuar në aksionin e organeve të drejtësisë.

Prebreza, përmes një njoftimi, ka thënë se për shkak të një udhëtimi zyrtar nuk ka qenë në komunë që nga dita e arrestimeve, por ka bërë të ditur se vendimin do ta marrë menjëherë pas kthimit.

“Menjëherë pas kthimit tim do ta liroj nga detyra Drejtorin e Pronës, deri në sqarimin e plotë të kësaj çështjeje nga organet e drejtësisë”, ka deklaruar Prebreza.

Ai ka theksuar se asnjë zyrtar nuk do të ketë mbrojtje politike dhe se qeverisja e tij do të bazohet në transparencë dhe llogaridhënie.

“Qytetarëve të Fushë Kosovës ua kam dhënë fjalën për një qeverisje ndryshe dhe asnjë emër, pozitë apo interes nuk do të jetë më i rëndësishëm se kjo fjalë”, ka shkruar kryetari i komunës.

Prebreza ka bërë thirrje që përgjegjësia të përcaktohet vetëm nga organet e drejtësisë, duke theksuar se nuk dëshiron të paragjykojë të arrestuarit.

“Natyrisht, nuk do ta paragjykojmë përgjegjësinë e askujt. Atë e përcaktojnë vetëm organet e drejtësisë”, ka thënë ai.

Sipas Prebrezës, hetimet për çështjen e pronës për të cilën dyshohet se është keqpërdorur kanë nisur më herët, ndërsa për të njëjtën çështje, sipas tij kishte pasur të arrestuar edhe gjatë vitit 2025.

Kryetari i Fushë Kosovës ka deklaruar se komuna do të bashkëpunojë plotësisht me organet e drejtësisë.

“Komuna e Fushë Kosovës do t’i hapë dyert për Prokurorinë dhe çdo organ tjetër të drejtësisë dhe do të ofrojë bashkëpunim të plotë për çdo hetim”, ka shkruar Prebreza.

Pesë zyrtarët e Komunës së Fushë Kosovës janë arrestuar nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, në një rast që lidhet me tjetërsimin e një prone me vlerë rreth 1.5 milionë euro. Gjykata Themelore në Prishtinë ka refuzuar kërkesën për paraburgimin e tyre. /Telegrafi/

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.