Gjykata Themelore në Prishtinë ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Themelore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj pesë të pandehurve, të arrestuar nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar në rastin e tjetërsimit të një prone në Fushë Kosovë, në vlerë prej 1.5 milionë eurosh.
Bëhet fjalë për G.Z., A.G., L.M., D.G. dhe E.A., ndaj të cilëve gjykata ka caktuar masa alternative të sigurisë.
Sipas aktvendimit, gjyqtari i procedurës paraprake e ka vlerësuar si të pabazuar kërkesën e Prokurorisë për paraburgim.
Pesë të pandehurve u është caktuar masa e “ndalimit për t’iu ofruar vendit apo personit të caktuar”, në kohëzgjatje prej një muaji, nga 8 shtatori deri më 8 tetor 2026.
Ata janë obliguar që të mos i afrohen në distancë prej 200 metrash Komunës së Fushë Kosovës. Në rast se e shkelin këtë masë, ajo mund të zëvendësohet me paraburgim.
Gjykata ka caktuar gjithashtu masën e paraqitjes në stacionin policor ndaj të pesë të pandehurve, po për periudhën nga 8 shtatori deri më 8 tetor.
“Me rastin e vendosjes, Gjykata konstatoi se me masat e lartcekura tani për tani do të arrihet që procedura penale të zhvillohet e pa penguar”, thuhet në aktvendim.
Rasti lidhet me arrestimin e pesë zyrtarëve në Fushë Kosovë, të dyshuar për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe tjetërsim të një prone me vlerë rreth 1.5 milionë euro.
Pesë të pandehurit fillimisht ishin ndaluar për 48 orë pas arrestimit, ndërsa tani do të mbrohen në procedurë të rregullt, nën masat e caktuara nga gjykata.
Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit. /Telegrafi/