Qindra qytetarë u mblodhën të mërkurën mbrëma në Galerinë e Arteve në Prishtinë, në inaugurimin e ekspozitës “Ditari i një fotografi të luftës”, të autorit Visar Kryeziu.
Ekspozita është realizuar në kuadër të platformës “Liria ka Emër”, kuratore e së cilës është artistja dhe deputetja Eliza Hoxha, dhe sjell përmes fotografisë një pjesë të kujtesës së luftës së Kosovës, duke dokumentuar momente nga një prej periudhave më të rëndësishme të historisë së vendit.
I pranishëm në inaugurim ishte edhe Telegrafi, ndërsa autori i ekspozitës, Visar Kryeziu, nuk i fshehu emocionet teksa foli për punën e tij dhe rëndësinë që këto fotografi kanë për të.
“Ekspozita ‘Ditari i një fotografi të luftës’ ka të bëjë me një kujtesë, me një dëshmi të një periudhe të lavdishme të popullit tonë. Unë jam munduar t’ua sjell njerëzve momente nga ajo periudhë, kur më të guximshmit vendosën t’i kapnin armët dhe t’i dilnin përballë armikut për ta mbrojtur të drejtën dhe të vërtetën”, u shpreh Kryeziu për Telegrafin.
Ai rrëfeu se gjatë viteve 1998-1999 kishte qenë në terren, duke dokumentuar momente të ndryshme nga lufta, nga betejat dhe përgatitjet e tyre, deri te pasojat që lanë ato.
“Kam qenë nëpër beteja të ndryshme dhe jam munduar t’i regjistroj apo t’i kap momentet nga ato beteja – nga përgatitjet, gjatë dhe pas betejave. Në fotografi shohim ceremoni të ndryshme, ndihma, shpërndarje, por edhe kthimin në shtëpitë tona. Fatkeqësisht, nuk ia kemi dalë të mbijetojmë të gjithë, por kemi arritur ta shohim ditën e lirisë, që është edhe fitorja jonë”, shtoi ai.
Visar Kryeziu (Foto: Telegrafi)
Për kuratoren e ekspozitës, Eliza Hoxha, kjo është një ekspozitë që përtej fotografisë synon të ruajë dhe përcjellë rrëfimet e njerëzve që kontribuuan në rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë.
“Krenare pa fund, por krenare më shumë me idenë që kemi arritur ta fusim në një rrugëtim të gjatë njerëzit e udhës, njerëzit e mirë, me plot dritë dhe mirësi, që kanë luftuar për të qenë të lirë. Gjatë rrugës, diku në kohë paqeje, nuk jemi përkujdesur që ato rrëfime të gjejnë vendin e tyre – qoftë në institucione, në zemrat tona, në shtëpitë tona, në shoqëri apo në muze”, deklaroi Hoxha për Telegrafin.
Eliza Hoxha (Foto: Telegrafi)
Ajo theksoi se një prej misioneve kryesore të platformës “Liria ka Emër” është mbledhja dhe prezantimi i materialeve që lidhen me rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë, si dhe ruajtja e tyre për gjeneratat e ardhshme.
“Gjithçka që bën ‘Liria ka Emër’ dhe vazhdon ta bëjë, misionin e parë dhe fillestar e ka mbledhjen dhe shpalosjen e materialeve që lidhen me rrugëtimin tonë për liri, si dhe falënderimin e njerëzve që ende janë gjallë dhe që e kanë ndalur gjallë këtë histori brenda nesh. Mundohemi të krijojmë një lidhje që këto rrëfime t’i shkojnë një gjenerate tjetër në mënyrën më të plotë të mundshme”, tha Hoxha.
Pamje nga ekspozita “Ditari i një fotografi të luftës” (Foto: Liria ka Emër)
Duke iu referuar edhe procesit gjyqësor në Hagë, Hoxha tha se gjatë viteve të fundit platforma është fokusuar më shumë edhe në sensibilizimin e opinionit publik rreth procesit ndaj ish-krerëve të UÇK-së, duke organizuar aktivitete të ndryshme.
“Duke qenë se kemi qenë këto gjashtë vite në procesin e dhimbshëm të Gjykatës Speciale apo Dhomave të Specializuara në Hagë, platforma është fokusuar pak më shumë edhe te procesi i Hagës, me aktivitete të ndryshme, me idenë e sensibilizimit dhe bashkimit. Por edhe kur të kthehen çlirimtarët tanë në shtëpi, plotësisht do të vazhdojmë me misionin tonë”, përfundoi ajo.
Pamje nga ekspozita “Ditari i një fotografi të luftës” (Foto: Liria ka Emër)
Ekspozita “Ditari i një fotografi të luftës” do të vazhdojë të jetë e hapur për publikun në Galerinë e Arteve, në Pallatin e Rinisë në Prishtinë, duke u ofruar qytetarëve mundësinë për t’u njohur nga afër me fotografitë dhe dëshmitë e sjella nga Visar Kryeziu.
Hapja e ekspozitës vjen në një periudhë të rëndësishme edhe për procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, të cilët pritet të marrin verdiktin më 16 shtator. /Telegrafi/
Pamje nga ekspozita “Ditari i një fotografi të luftës” (Foto: Liria ka Emër)