Sipas raportimeve të mediave spanjolle Marca dhe AS, ylli argjentinas synon të blejë 100 për qind të aksioneve të klubit spanjoll, Eldense, pa përfshirë investitorë të tjerë në këtë operacion.
Marrëveshja ende nuk është zyrtarizuar dhe duhet të përfundojnë procedurat ligjore, verifikimi i biznesit, si dhe të merret miratimi nga Këshilli Spanjoll i Sportit (CSD).
Nëse gjithçka përmbyllet sipas planit, Messi do të bëhet pronar i një klubi profesional në Spanjë, duke zgjeruar kështu aktivitetin e tij në botën e futbollit edhe jashtë fushës.
Eldense është klub nga qyteti Elda, në provincën e Alicante, me rreth 55 mijë banorë. Klubi është themeluar në vitin 1921 dhe aktualisht garon në LaLiga Hypermotion, divizioni i dytë i futbollit spanjoll.
Skuadra i zhvillon ndeshjet si vendas në stadiumin Nuevo Pepico Amat, që ka kapacitet rreth 5,800 spektatorë. Eldense u rikthye në kategorinë e dytë në sezonin 2023/24, pas një pritjeje prej rreth 60 vitesh.
Messi po ndërton portofol klubesh
Blerja e Eldenses vjen pas një tjetër investimi të Messit në futbollin spanjoll. Më herët gjatë këtij viti, argjentinasi bleu klubin katalanas UE Cornellà, i cili garon në nivelet më të ulëta të futbollit spanjoll.
Ky investim shihet si pjesë e planeve të Messit për t’u përfshirë gjithnjë e më shumë në biznesin e futbollit pas përfundimit të karrierës së tij si futbollist.
39-vjeçari aktualisht vazhdon të luajë për Inter Miami, ndërsa paralelisht po ndërton një portofol investimesh të lidhura me futbollin dhe zhvillimin e talenteve.
Eldense mund të përfaqësojë një projekt tjetër ambicioz për Messin, sidomos për shkak të pozitës së klubit në sistemin e futbollit spanjoll. Objektivi afatgjatë mund të jetë zhvillimi i klubit dhe krijimi i një strukture që mund ta afrojë atë me elitën e futbollit spanjoll.
Ende nuk dihet shuma e blerjes
Shuma që Messi do të paguajë për Eldensen nuk është bërë publike. Në muajt e fundit ishte raportuar për një ofertë prej rreth 12 milionë eurosh nga biznesmeni argjentinas Ricardo Pini, por nuk është konfirmuar nëse kjo është shuma që do të paguajë Messi.
Pronari i mëparshëm i Eldenses ishte grupi ndërkombëtar i investimeve i biznesmenit kolumbian Juan Carlos Trujillo, i cili e kishte marrë klubin në tetor të vitit 2025.
Messi më pas hyri në negociata për blerjen e klubit dhe, sipas raportimeve, synon ta financojë vetë të gjithë operacionin.
Eldense në vështirësi sportive
Në aspektin sportiv, Eldense nuk po kalon një periudhë të mirë. Klubi ka marrë vetëm dy pikë në katër ndeshjet e para të sezonit, ndërsa së fundmi shkarkoi trajnerin Claudio Barragán.
Barragán u bë trajneri i parë i shkarkuar në divizionin e dytë spanjoll këtë sezon. Përkohësisht skuadra drejtohet nga Josep Ferrando, ndërsa në mesin e emrave që janë përmendur si kandidatë për trajnerin e ri janë Gerardo Martín dhe Eder Sarabia.
Nëse blerja zyrtarizohet, ardhja e Messit do të përfaqësonte një ndryshim të madh për klubin, jo vetëm në aspektin financiar, por edhe në ambiciet sportive.
Kështu, një nga futbollistët më të mëdhenj në historinë e këtij sporti do të bëhej pronar i një klubi që aktualisht është vetëm një kategori larg elitës së futbollit spanjoll. /Telegrafi/
– YouTube www.youtube.com