Labinot Rexha ka rrëfyer më shumë detaje për incidentin e ndodhur sot në Rahovec, ku pretendon se është sulmuar fizikisht bashkë me disa anëtarë të familjes së tij.
Në një lidhje telefonike për Prive By Liberta Spahiu, këngëtari dhe ish-banori i Big Brother VIP Kosova tregoi se gjithçka lidhet me një kontest pronësor për 16 metra katrorë me fqinjët.
Sipas tij, mosmarrëveshja daton që nga periudha e paraluftës, kur babai i tij i ndjerë dhe pala tjetër kishin lënë hapësirë për një rrugë të përbashkët.
Rexha tha se situata u përshkallëzua pasi ai tentoi të merrej vesh me palën tjetër, ndërsa më pas, sipas tij, u godit fizikisht dhe u fyen rëndë.
“Që në mëngjes jam zgjuar për me shku në dasmë, pasi kam një dasmë në Prizren ditën, dhe duke dalë nga shtëpia, jemi në proces gjyqësor, një kontest për një 16 metra katrorë”.
“Mora një goditje, një boks… edhe fyerje, sharje më brutale, më të këqija që kurrë në jetën time dikush nuk më ka sharë, nuk më ka fyer”.
Këngëtari pretendoi gjithashtu se gjatë incidentit janë sulmuar edhe nëna dhe mbesa e tij, duke kërkuar që rasti të trajtohet nga organet e drejtësisë.
“Nëna ime është sulmuar sot nga tre persona dhe dy gra… I pres nga prokuroria që ata mos t’i lirojnë, sepse është sulmuar dhe vajza e xhaxhit tim”.
Deri tani, pala tjetër nuk ka reaguar publikisht ndaj këtyre pretendimeve. /Telegrafi/