Ish-drejtori i Arsimit në Prishtinë, Samir Shahini, ka reaguar për rezultatet e Kosovës në testin ndërkombëtar PISA 2025, duke thënë se ato tregojnë probleme të thella në sistemin arsimor dhe nuk duhet të minimizohen.
Shahini ka theksuar se rezultatet në lexim, matematikë dhe shkencë vazhdojnë të jenë larg mesatares së vendeve të OECD-së, ndërsa një numër i madh i nxënësve nuk arrijnë nivelin bazë të kompetencave.
Megjithatë, ai ka vlerësuar se përgjegjësia nuk duhet të bartet vetëm te mësimdhënësit. Sipas tij, një nga të dhënat pozitive të raportit është ndikimi relativisht i ulët i statusit socio-ekonomik në performancën e nxënësve në Kosovë.
“Kjo do të thotë se fëmijët nga familje me kushte të ndryshme ekonomike performojnë më afër njëri-tjetrit sesa në shumë sisteme të tjera arsimore”, ka shkruar Shahini.
Sipas tij, kjo tregon se në klasat kosovare po bëhet një punë e rëndësishme në drejtim të barazimit të mundësive, ndërsa mësimdhënësit po arrijnë të punojnë me kategori të ndryshme sociale.
Shahini ka identifikuar si probleme kryesore mënyrën e ndërtimit të sistemit arsimor, prioritetet e vendosura ndër vite, kurrikulën, mungesën e një fokusi të qartë strategjik dhe mungesën e një kulture të fortë të leximit e të menduarit kritik.
Ai ka theksuar veçanërisht rëndësinë e leximit, duke argumentuar se kompetencat e dobëta në këtë fushë ndikojnë edhe në rezultatet e nxënësve në matematikë dhe shkencë.
“PISA nuk është një raport që duhet të na vendosë në mbrojtje dhe as një rast për të gjetur fajtorë. Është një pasqyrë që na detyron të jemi të sinqertë me veten”, ka deklaruar Shahini.
Në përfundim, ai ka kërkuar një qasje më të thellë ndaj reformimit të arsimit, me kurrikulë më të fokusuar, politika më të qëndrueshme dhe vizion më të qartë për cilësinë e mësimnxënies. /Telegrafi/