Me qëllim të përmirësimit të sistemit të menaxhimit të mbetjeve në kryeqytet, është nënshkruar zyrtarisht kontrata për furnizimin me 3,300 kontejnerë të rinj. Autoritetet thonë se investimi synon të mundësojë lagje më të pastra, zbrazje më të shpejtë të mbeturinave dhe kushte më të mira pune për punonjësit e NP “Higjiena Komunale”-Shkup.
Kreu i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski bëri të ditur se dallimi në përmasat e investimit është i dukshëm nëse merret parasysh se gjatë 12 viteve të fundit janë blerë gjithsej vetëm rreth 1,300 kontejnerë, një numër që prej kohësh nuk i përgjigjej nevojave reale të Shkupit dhe që ka kontribuar në mbushjen e tejskajshme të kontejnerëve dhe shpërndarjen e mbeturinave përreth tyre.
Përveç numrit të kontejnerëve, theksoi edhe kursimi financiar i realizuar në këtë furnizim: Çmimi i ri: 9,600 denarë për copë; Çmimi i mëparshëm: mbi 18,000 denarë për copë.
“Sipas të dhënave të publikuara, furnizimi është realizuar me një çmim pothuajse dy herë më të ulët krahasuar me blerjet e mëparshme, pavarësisht rritjes globale të çmimeve të materialeve”.
“Ky investim vjen pas furnizimit të fundit me automjete të reja komunale dhe është pjesë e planit më të gjerë për modernizimin e NP “Higjiena Komunale”, me synim krijimin e një sistemi më funksional dhe të qëndrueshëm për mirëmbajtjen e pastërtisë në Shkup”.