Vinicius Junior ka bërë të qartë ambiciet e Real Madridit në Ligën e Kampionëve, duke deklaruar se skuadra synon të fitojë trofeun këtë sezon, pas dy edicioneve të fundit zhgënjyese në Evropë.
Braziliani, i cili është zëvendëskapiten i Real Madridit, beson se skuadra është gati të luftojë për një tjetër triumf historik dhe për trofeun e 16-të të klubit në këtë kompeticion.
“Ne do ta fitojmë”, deklaroi Vinicius në një intervistë të publikuar nga Real Madridi.
Vëmendja e brazilianit tashmë është përqendruar te ndeshja hapëse e fazës së ligës, ku madrilenët do të përballen me Interin në një test të vështirë.
“Sa herë që vjen Liga e Kampionëve, gjithçka është ndryshe. Jemi gati për këtë ndeshje ndaj një skuadre të madhe, e cila do të na kërkojë shumë”.
“Interi është një ekip shumë i fortë fizikisht, luan me pesë mbrojtës dhe kjo është diçka që zakonisht na shkakton probleme, por trajneri e ka gjithçka nën kontroll”, u shpreh Vinicius.
Ai gjithashtu pranoi se mungesat në skuadër e bëjnë situatën më të vështirë, por beson se Real Madridi do të japë maksimumin.
“Kemi disa lojtarë jashtë, gjë që e vështirëson situatën, por të gjithë do të dalim të fortë dhe shpresojmë të krijojmë atë lidhjen e mrekullueshme me tifozët në këto ndeshje”, shtoi ai.
Vinicius foli edhe për dy golat e tij në finalet e Ligës së Kampionëve, ndaj Liverpoolit dhe Borussia Dortmundit, duke i cilësuar si realizimet më të rëndësishme të karrierës së tij.
“Janë dy golat më të rëndësishëm të jetës sime. Është diçka që do të mbetet në histori. Shumë lojtarë shënojnë gola, por pak prej tyre e bëjnë këtë në finale. Ta bësh këtë me klubin më të madh në botë është diçka që as tifozët, as unë nuk do ta harrojmë kurrë”, përfundoi braziliani. /Telegrafi/