Gjatë takimit me shqiptarët në Shtetet e Bashkuara, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, foli për rikthimin e tij në SHBA dhe për marrëdhëniet që synon të ndërtojë me administratën amerikane nëse opozita vjen në pushtet.
Berisha deklaroi se rikthimin e tij do ta përdorë për forcimin e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, duke e cilësuar këtë marrëdhënie si të një rëndësie jetike për të ardhmen e vendit.
“Tani miq, le ta quajmë rikthim të dytë apo të tretë, le ta quajmë si të duam. Por një gjë ju siguroj, se ky rikthim do të përdoret për ndërtimin e një bashkëpunimi të shkëlqyer me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i një rëndësie jetike për të ardhmen e vendit tonë”, deklaroi Berisha.
Ai vlerësoi rolin e SHBA-së në historinë e Shqipërisë, duke theksuar se shqiptarët nuk duhet të harrojnë kontributin amerikan në lirinë e vendit.
“Kurrë shqiptarët nuk duhet të harrojnë se ky vend ka kontributin më të madh se çdo vend tjetër i planetit në lirinë e botës”, u shpreh lideri i PD-së.
“Ky komb me qeveritë e tij kanë kontributin më të madh dhe përcaktues në lirinë e kombit shqiptar nga vitet ’20 të shekullit të kaluar deri në vitet 2000 të këtij shekulli”, tha ai.
“Do ta përdor, do ta përdorim së bashku, për ndërtimin e marrëdhënieve, të partneritetit më të shkëlqyer në interesin më të mirë të dy vendeve dhe kombeve tona, me këtë vend dhe qeverinë e Shteteve të Bashkuara”, deklaroi Berisha.
Në përfundim të fjalës së tij, kreu i Partisë Demokratike falënderoi diasporën shqiptare për pritjen dhe mbështetjen, duke e mbyllur fjalimin me një mesazh për shqiptarët dhe SHBA-në.
“Rroftë diaspora shqiptare! Rroftë kombi shqiptar! Rroftë kombi i madh amerikan! Zoti e bekoftë Shtetet e Bashkuara, Zoti e bekoftë Shqipërinë”, tha Berisha.