Një komunikim rutinë mes pilotëve dhe kullës së kontrollit u kthye në një moment të veçantë familjar, kur një baba dhe vajza e tij, të dy pilotë të linjave ajrore, u dëgjuan papritur në të njëjtën frekuencë radioje në aeroportin ndërkombëtar Washington Dulles.
Momenti ndodhi më 1 shtator, kur piloti i United Airlines, Kent Katnik, po përgatitej të ngrinte avionin e fluturimit 108. Në të njëjtën kohë, vajza e tij, Kenny Katnik, ndodhej pranë, në kabinën e një avioni të CommutAir, që operonte fluturimin 4977 për United Express.
Teksa Kent po komunikonte me kontrollin ajror, papritur dëgjoi një zë shumë të njohur në kufje.
“Pops?” – e përshëndeti vajza.
Fillimisht ai pyeti se kush ishte, por menjëherë e kuptoi se bëhej fjalë për Kenny-n dhe e pyeti se ku ndodhej. Ajo i tregoi se ishte duke pritur pranë pistës 1R, vetëm pak metra larg, gati për t’u nisur.
Biseda mori më pas një kthesë humoristike, kur një tjetër pilot në frekuencë e pyeti Kentin nëse ishte krenar që vajza e tij ishte gjithashtu pilote.
“Disi!”, u përgjigj ai duke qeshur. Por biseda nuk mbaroi aty, transmeton Telegrafi.
Piloti tjetër e pyeti nëse vajza jetonte ende në shtëpi. Kent shpjegoi se Kenny ishte larguar nga shtëpia, por vazhdonte të ishte pjesë e paketës së tij familjare të telefonit.
Përgjigjja solli edhe një tjetër batutë: “Mos e hiq nga paketa derisa të martohet. Edhe unë qëndrova në paketën e nënës sime deri sa u martova”.
Dhe Kenny nuk e la pa komentuar: “Epo, unë jam beqare”.
Biseda e pazakontë u publikua më vonë nga United Airlines në Instagram dhe mori menjëherë mijëra reagime.
Shumë përdorues u argëtuan me pjesën për paketën telefonike, ndërsa të tjerë e cilësuan momentin si veçanërisht emocional, pasi babai dhe vajza jo vetëm që kanë zgjedhur të njëjtin profesion, por punojnë edhe për të njëjtën kompani ajrore dhe mund të takohen rastësisht në pistat e aeroportit.
Një përdorues shkroi me humor se, pavarësisht se sa lart ngjitesh në karrierë, nuk mund t’i shpëtosh kurrë bisedës familjare për paketën e telefonit.
Aeroporti Washington Dulles është një prej aeroporteve kryesore që i shërben rajonit të Uashingtonit dhe një nga qendrat e rëndësishme të operimit për United Airlines.
Një moment i zakonshëm në radio u kthye kështu në një histori të ngrohtë familjare, që tregoi se edhe në një profesion kaq serioz sa pilotimi, familja mund të gjejë gjithmonë një mënyrë për të sjellë pak humor në kabinë. /Telegrafi/