Dubai ka pezulluar regjistrimet për nismën “Dubai Invite”, pasi ka marrë më shumë se 90 mijë kërkesa nga banorët që duan të ftojnë miq dhe familjarë nga jashtë vendit.
Programi, i cili ofron një sërë zbritjesh dhe përfitimesh, u prezantua në muajin korrik me synimin që banorët të bëhen ambasadorë të qytetit, raporton euronews.
Pjesëmarrësve u ofrohen përfitime me vlerë mbi 3 mijë dirhemë, rreth 700 euro. Paketa përfshin zbritje për hotele, restorante, si dhe bileta më të lira ose falas për atraksionet kryesore të qytetit. Departamenti i Ekonomisë dhe Turizmit të Dubait (DET) njoftoi se, për shkak të interesimit të jashtëzakonshëm, së bashku me partnerët e tij e ka trefishuar numrin e paketave në dispozicion.
Edhe pse regjistrimet e reja janë ndalur, programi vazhdon për të gjithë ata që janë regjistruar me sukses. Deri tani janë shpërndarë më shumë se 30 mijë paketa përfitimesh.
Mysafirët e regjistruar duhet të udhëtojnë drejt Dubait jo më vonë se 31 tetori i këtij viti dhe duhet të mbërrijnë drejtpërdrejt nga jashtë Emirateve të Bashkuara Arabe. Pritësit do t’i marrin përfitimet brenda 72 orëve nga mbërritja e mysafirëve dhe mund t’i përdorin ato në lokacionet partnere deri në fund të vitit.
Paketat ofrojnë zbritje për hotele, restorante, atraksione turistike dhe shërbime transporti. Zbritjet vlejnë edhe për atraksione të njohura si parku ujor Aquaventure dhe parku argëtues IMG Worlds of Adventure, si dhe për një numër të madh restorantesh.
Nisma u ndërmor në kuadër të përpjekjeve për të ruajtur rritjen e turizmit pas një viti rekord në 2025, kur Dubai regjistroi 19.59 milionë vizitorë ndërkombëtarë. DET theksoi se interesi i madh tregon rëndësinë që vizitat e miqve dhe të afërmve kanë për sektorin turistik.
Situata turistike në vitin 2026 është bërë më e ndërlikuar për shkak të përshkallëzimit të konfliktit mes SHBA-së dhe Iranit, i cili ka vështirësuar udhëtimet dhe trafikun ajror në të gjithë rajonin e Gjirit. /Telegrafi/