Nga sot, edhe Maqedonia e Veriut do të jetë pjesë e Korridorit Vertikal të gazit, së bashku me Greqinë, Serbinë, Bullgarinë, Rumaninë, Hungarinë, Sllovakinë, Moldavinë dhe Ukrainën, deklaroi ministrja e Energjetikës, Sanja Bozhinovska, para fjalimit të saj në Panairin e 6-të Metropolitan, që po mbahet në Selanik.
Siç tha Bozhinovska, po punohet intensivisht për interkonektorin me Greqinë dhe për lidhjen me Serbinë.
“Sot do të marr pjesë në dy ngjarje të rëndësishme. Njëra është „Thessaloniki Metropolitan Summit“ i 6-të, ndërsa tjetra është Forumi i 10-të jubilar i Energjisë për Evropën Juglindore. Kjo është shumë e rëndësishme, sepse sot do të nënshkruajmë edhe një Memorandum Mirëkuptimi, që do të thotë se më në fund nuk do të mbetemi jashtë hartës energjetike dhe ne do të lidhemi me Korridorin Vertikal. Çfarë do të thotë kjo? Deri tani ishte parashikuar që korridori të shtrihej nga Greqia përmes Bullgarisë, Rumanisë, Hungarisë dhe Sllovakisë, deri në Moldavi dhe Ukrainë, ndërsa nga sot edhe ne dhe Republika e Serbisë do të përfshihemi në këtë projekt energjetik.
Po punojmë intensivisht për interkonektorin me Greqinë, si dhe për lidhjen e interkonektorit me Serbinë, që do të thotë se deri në fund të vitit të ardhshëm duhet të jemi të gatshëm që përmes vendit tonë të mund të bëhet tranziti i gazit dhe, natyrisht, të sigurohen sasi më të mëdha, në mënyrë që të mos kemi vetëm një lidhje. Kjo do të thotë se do të kemi edhe një kufi të dytë përmes të cilit do të mund të furnizohemi me LNG”, theksoi Bozhinovska.
Sipas saj, kjo do të thotë se vendi do të ketë furnizim alternativ.
“Nëse deri tani kemi pasur vetëm një lidhje me Republikën e Bullgarisë dhe këto kapacitete janë marrë me qira afatgjatë nga Gazprom, më shumë se rreth 85 për qind e tyre, kjo do të thotë se tani do të kemi një mundësi të dytë – të lidhemi me Aleksandrupolin dhe Revitusan, dhe ne të bëhemi një qendër që do të furnizojë edhe Evropën Juglindore me gaz”, deklaroi Bozhinovska.