Vetëm tri ditë pas hapjes solemne të “FIFA Talent Academy Kosova”, FIFA i ka kushtuar një video të veçantë kësaj ngjarjeje në kanalet e saj zyrtare në rrjetet sociale.
Në videon e publikuar nga FIFA janë përfshirë edhe deklaratat e përfaqësuesve të saj, të cilët ishin të pranishëm në Kosovë për ceremoninë inauguruese të akademisë.
Hapja e “FIFA Talent Academy Kosova” përfaqëson një investim të rëndësishëm në gjeneratat e reja dhe në të ardhmen e futbollit kosovar. Përmes kësaj akademie, fëmijëve u ofrohet mundësia të zhvillohen në një ambient profesional dhe sipas standardeve ndërkombëtare.
Konsulenti teknik rajonal i FIFA-s, Tomas Danilevicius, vlerësoi punën e bërë nga Federata e Futbollit të Kosovës gjatë dy viteve të fundit në kuadër të “Talent Development Scheme”.
“Mund të themi se sot, në vitin 2026, vetëm dy vjet më vonë, mund të jemi krenarë se të gjithë djemtë dhe vajzat në Kosovë do ta kenë mundësinë të zhvillohen. Siç e përmendi edhe presidenti Ademi, kjo është akademia e tretë e këtij lloji në Evropë dhe e 15-ta në botë. Por, zoti President, do të thosha se Kosova është e para në Evropë që e ka akademinë edhe për djem edhe për vajza”, tha Danilevicius.
Në ceremoninë inauguruese ishte i pranishëm edhe përfaqësuesi i FIFA-s përgjegjës për Kosovën, Arnar Vidarsson, i cili foli për hapat e ardhshëm të “Talent Development Scheme” në vend.
Vidarsson e cilësoi inaugurimin si një ditë krenarie për FFK-në, duke theksuar se puna e bërë deri tani për zhvillimin e talenteve përbën vetëm fillimin e një procesi më të gjerë.
Me hapjen e kësaj akademie, Kosova synon të krijojë kushte edhe më të mira për identifikimin dhe zhvillimin e talenteve të rinj, duke i dhënë një dimension të ri punës me gjeneratat e reja në futboll. /Telegrafi/