Në Mynih janë arrestuar një 38-vjeçar dhe një 28-vjeçare, nën dyshimin se gjatë natës tentuan t’u vënë zjarrin ambienteve përpara selive të dy kompanive të mbrojtjes.
Objektivat e sulmit ishin grupi teknologjik Rohde & Schwarz dhe prodhuesi gjerman i dronëve Helsing.
Sipas informacioneve të para, dëmet janë minimale, shkruan Euronews.
Policia u njoftua rreth mesnatës nga një dëshmitar, i cili kishte parë një person që nga një veturë në lëvizje hidhte mjete ndezëse në drejtim të një kantieri. Hetuesit bëjnë të ditur se dy nga disa mjetet ndezëse u aktivizuan.
Patrulla policore që mbërriti shpejt në vendngjarje e shoi zjarrin, ndërsa u raportuan vetëm dëme të vogla materiale. Pak pas incidentit, policia arrestoi dy të dyshuarit.
Sipas informacioneve të transmetuesit publik gjerman Bayerischer Rundfunk, bëhet fjalë për shtetas bullgarë.
Kompania Rohde & Schwarz prodhon teknologji të sigurisë dhe komunikimit për institucionet shtetërore dhe ushtrinë, ndërsa Helsing merret me prodhimin e dronëve për operacione ushtarake.
Detajet mbi motivin dhe prapaskenën e sulmit ende nuk janë bërë të ditura. /Telegrafi/