Norvegjia ka konfiskuar një anije ruse në Arktik, me qëllim zbatimin e një kërkese për dëmshpërblim prej 4.22 miliardë dollarësh, të cilën kompania ukrainase e energjisë Naftogaz e ka fituar për shkak të konfiskimit të pronës së saj pas aneksimit të Krimesë nga Rusia në vitin 2014.
Anija “Profesor Molçanov” u konfiskua pranë arkipelagut norvegjez të Svalbardit. Guvernatori i Svalbardit konfirmoi konfiskimin dhe njoftoi se anija do të mbahet në këtë territor.
Ambasadori rus në Norvegji, Nikolai Korchunov, deklaroi se Moska do të kërkojë lirimin e anijes përmes rrugëve ligjore, duke kërkuar gjithashtu garantimin e sigurisë së pasagjerëve dhe ekuipazhit, shkruan reuters.
Anija kishte mbërritur të martën në Barentsburg, një vendbanim rus në Svalbard, me një grup shkencëtarësh rusë. Sipas informacioneve të publikuara, asnjë anëtar i ekuipazhit apo pjesëtar i ekspeditës nuk është arrestuar dhe anija thjesht është ndaluar të largohet nga porti.
Naftogaz ka zhvilluar që prej vitit 2016 procedura ligjore kundër Rusisë për dëmshpërblim lidhur me shpronësimin e pronave të saj në Krime. Në prill të vitit 2023, një gjykatë arbitrazhi në Hagë urdhëroi Rusinë t’i paguante Naftogazit 4.22 miliardë dollarë, pa përfshirë interesat dhe shpenzimet gjyqësore.
Avokatët e Naftogazit kishin ndjekur për muaj të tërë lëvizjet e anijes, e cila përdoret për lundrime turistike. Para mbërritjes së saj, ata kërkuan konfiskimin dhe shitjen e detyruar të anijes. Gjykata rajonale Nord-Troms dhe Senja e miratoi kërkesën të hënën dhe urdhëroi autoritetet e Svalbardit të siguronin që anija të mos zhvendosej.
Naftogaz deklaroi se po koordinon zbatimin e vendimit gjyqësor në disa juridiksione, përfshirë SHBA-në, Francën, Britaninë e Madhe dhe Finlandën, ku asetet ruse janë ngrirë. Rusia ka apeluar, duke pretenduar se nuk ishte njoftuar për procedurën. /Telegrafi/