Apple po sjell një funksion të ri në iOS 27 që mund të jetë veçanërisht i dobishëm për përdoruesit që kanë dy iPhone.
Funksioni i quajtur “iPhone Handoff” do të mundësojë përdorimin e të njëjtit numër telefoni në dy pajisje dhe kalimin nga një iPhone te tjetri.
Funksioni ishte përmendur shkurtimisht gjatë konferencës WWDC 2026, në një prezantim ku Apple listoi qindra veçori të reja të iOS 27, por në atë moment nuk dha detaje të mëtejshme.
Tani, një video e publikuar në forumin e MacRumors tregon se si mund të funksionojë sistemi. “iPhone Handoff” do të aktivizohet përmes Settings > Cellular, ku përdoruesi do të mund të përcaktojë se cili iPhone është pajisja kryesore dhe cili do të jetë pajisja shoqëruese.
Sipas Apple, eSIM-i kryesor do të mbetet në iPhone-in kryesor, ndërsa pajisja e dytë do të marrë një eSIM shoqërues. Kjo do t’u mundësojë të dyja pajisjeve të përdorin të njëjtin numër telefoni dhe përdoruesi të kalojë nga një iPhone në tjetrin.
Edhe cilësimet celulare do të menaxhohen nga pajisja kryesore, ndërsa vendndodhja e përdoruesit do të lidhet me iPhone-in që është duke përdorur aktivisht numrin e telefonit.
Megjithatë, ekziston një kusht i rëndësishëm: funksioni duket se do të kërkojë mbështetjen e operatorit celular. Sipas informacionit të publikuar, T-Mobile në SHBA dhe Deutsche Telekom në Gjermani mund të jenë ndër operatorët e parë që do ta ofrojnë këtë mundësi.
Përdoruesit do të kenë gjithashtu nevojë për dy iPhone që funksionojnë me iOS 27, transmeton Telegrafi.
Pas rreth tre muajsh testime beta, iOS 27 pritet të publikohet më vonë gjatë këtij muaji.
Kjo do të thotë se Apple mund të zbulojë së shpejti më shumë detaje rreth mënyrës se si do të funksionojë “iPhone Handoff” dhe cilët operatorë do ta mbështesin atë.
Nëse funksioni funksionon ashtu siç është paraqitur, Apple mund ta bëjë shumë më të lehtë përdorimin e dy iPhone-ve pa pasur nevojë për dy numra telefoni. /Telegrafi/