Amir Abrashi po vazhdon të tregojë se mbetet një lojtar shumë i rëndësishëm për Grasshopperin, pavarësisht se tashmë ka mbushur 36 vjet.
Mesfushori shqiptar ishte një nga protagonistët kryesorë në fitoren 2-0 të Grasshopperit ndaj St. Gallenit në Superligën e Zvicrës.
Kapiteni i skuadrës realizoi golin e tij në minutën e 36-të, ndërsa dha një paraqitje të mirë edhe në repartin e mesfushës, duke ndihmuar skuadrën e tij të ruajë epërsinë dhe të mbajë portën e paprekur.
Për Abrashin ky ishte një tjetër moment i veçantë në fillimin e këtij sezoni. Ai nuk kishte shënuar në Superligën e Zvicrës prej gjashtë vitesh, por tani ka realizuar dy gola në pesë xhirot e para.
Në pesë ndeshjet e para të sezonit, Abrashi ka regjistruar gjithsej tri kontribute në gola, me dy realizime dhe një asistim.
Ai shënoi ndaj Servettes, asistoi në ndeshjen kundër Vaduzit dhe së fundmi gjeti rrjetën edhe ndaj St. Gallenit.
Pavarësisht moshës, Abrashi vazhdon të jetë një prej figurave kryesore të Grasshopperit. Me përvojën, lidershipin dhe paraqitjet e tij në fushë, kapiteni shqiptar mbetet një element shumë i rëndësishëm për skuadrën zvicerane.
Abrashi ka kaluar një pjesë të madhe të karrierës së tij te Grasshopperi dhe vazhdon të ketë një lidhje të veçantë me klubin, ku tashmë konsiderohet një nga figurat më të rëndësishme të viteve të fundit. /Telegrafi/