Në prag të vendimit përfundimtar të Gjykatës Speciale në Hagë për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili pritet të shpallet më 16 shtator, kanë reaguar edhe studentët shqiptarë nga Maqedonia e Veriut.
Besjan Rexhepi, nga Unioni i Studentëve Shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, ka shprehur solidaritetin me studentët e Kosovës, duke theksuar mbështetjen për një proces gjyqësor të drejtë, transparent dhe të paanshëm.
Rexhepi ka nënvizuar se drejtësia duhet të mbështetet në fakte dhe prova, pa ndikime politike dhe pa standarde të dyfishta.
“Si studentë shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, shprehim solidaritetin tonë me studentët e Kosovës dhe mbështesim fuqishëm të drejtën për një proces të drejtë, transparent dhe të paanshëm. Besojmë se drejtësia duhet të bazohet vetëm në fakte dhe prova, pa ndikime politike dhe pa standarde të dyfishta. Si të rinj, kërkojmë drejtësi, barazi dhe respekt për të drejtat themelore të secilit”, ka shkruar Rexhepi.
Ndryshe, gjatë procesit gjyqësor, Hashim Thaçi, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli janë deklaruar të pafajshëm ndaj akuzave për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. /Telegrafi
