Viti i kaluar ishte një nga periudhat më të vështira në jetën e këngëtares së njohur, Katy Perry. Artistja e ka pranuar hapur këtë në një intervistë për “People”, ku ka folur për një periudhë në të cilën iu desh të përballej njëkohësisht me kritikat ndaj muzikës së saj dhe përfundimin e lidhjes shumëvjeçare me aktorin Orlando Bloom.
Albumi i saj i fundit, “143”, u prit me kritika të shumta negative, ndërsa verën e kaluar u konfirmua edhe ndarja nga Bloom, babai i vajzës së saj, Daisy, dhe personi me të cilin Perry kishte kaluar pothuajse një dekadë.
Pavarësisht vështirësive, këngëtarja nuk hoqi dorë nga muzika. Ajo vazhdoi turneun e saj botëror dhe, siç rrëfen tani, pikërisht ky rrugëtim do t’i sillte një surprizë që nuk e kishte imagjinuar.
“Kam mësuar se si të rikthehem te gjërat që kanë rëndësi për mua”, ka thënë Perry.
Sipas saj, turneu i fundit nuk i solli vetëm mundësinë për t’u rikthyer në skenë, por edhe një nga dhuratat më të bukura të jetës së saj.
“Nga ky turne marr me vete dhuratën më të bukur – kam takuar dashurinë e jetës sime”, është shprehur ajo.
Bëhet fjalë për 54-vjeçarin Justin Trudeau, ish-kryeministrin kanadez, me të cilin Perry u njoh gjatë kohës që ishte në turne. Një vit pas një prej periudhave më të vështira të jetës së saj, këngëtarja thotë se tani ndihet më e lumtur se kurrë.
Për gjithçka që ka përjetuar gjatë kësaj periudhe, Perry flet edhe në filmin e ri koncertor “Katy Perry: The Lifetimes Tour – Live From Paris”.
“Shumë njerëz thoshin se nuk do t’ia dilja dhe më kritikuan ashpër, por unë ia dola. Disa komentojnë: ‘Sa e sikletshme, çfarë turpi’, por unë e jetoj jetën time pa u përmbajtur”, ka deklaruar ajo.
Perry e nisi turneun në prill të vitit 2025, vetëm disa muaj para se përfaqësuesit e saj dhe të Orlando Bloom të konfirmonin ndarjen e çiftit.
Kur lajmi për ndarjen u bë publik në korrik, këngëtarja ndodhej në anën tjetër të botës, në Australi.
“Ka qenë ndoshta periudha më e vështirë. Të gjithë miqtë e mi ishin duke kaluar kohë së bashku në shtëpi, ndërsa unë qaja dhe ndihesha kaq larg”, ka kujtuar Perry.
Megjithatë, ajo thotë se njerëzit më të afërt nuk e lanë vetëm në ato momente dhe i dhanë mbështetjen që kishte nevojë.
“Engjëjt e mi në atë kohë bënë atë që duhej. Vërtetë u treguan të jashtëzakonshëm”, është shprehur ajo.
Dhe pikërisht në fund të atij muaji, në jetën e saj hyri Trudeau. Perry dhe ish-kryeministri kanadez nisën të nxisnin thashethemet për një lidhje pasi u panë së bashku duke darkuar në Montreal.
Vetëm dy ditë më vonë, Trudeau shkoi me vajzën e tij në koncertin e këngëtares. Ai ka tre fëmijë nga martesa e tij e mëparshme.
“E takova Justinin gjatë turneut dhe atëherë gjithçka ndryshoi”, ka rrëfyer Perry.
Këngëtarja ka besuar prej kohësh në manifestimin e dëshirave dhe, në gushtin e kaluar, kishte përpiluar një listë me gjërat që dëshironte në jetën e saj.
Gjatë intervistës për “People”, ajo nxori nga kapaku i telefonit një copë letre të palosur, në të cilën kishte shkruar dëshirat e saj.
“Numri 10 thotë vetëm: ‘Dashuri e vërtetë’. Mendoj se pikërisht aty jemi tani”, ka thënë ajo.
Perry dhe Trudeau e konfirmuan lidhjen e tyre në tetor, kur u shfaqën së bashku në festën e ditëlindjes së këngëtares në Paris.
Në qershor, ata bënë paraqitjen e tyre të parë së bashku në tapetin e kuq, në premierën e filmit të saj koncertor në Festivalin Tribeca.
Po në qershor, Perry publikoi këngën “Watch It Burn”, një projekt muzikor për ndarjen, për të cilën besohet se është frymëzuar nga fundi i lidhjes së saj me Bloom.
Duke folur për gati një dekadë të kaluar me aktorin, Perry thotë se nuk e konsideron atë periudhë si kohë të humbur.
“Nuk do të kisha qëndruar në një lidhje për nëntë vjet nëse nuk do të kishte pasur mësime të rëndësishme që duhej t’i mësoja. Çdo lidhje na mëson diçka, apo jo?”, ka deklaruar ajo.
Këngëtarja thotë se kuptoi se duhej ta linte të kaluarën pas, në mënyrë që t’i hapte rrugë diçkaje të re.
“Më duhej ta lija pas atë që kishte ndodhur, në mënyrë që të mund të vazhdoja përpara. Gjithmonë kam dashur një dashuri epike, legjendare dhe për këtë kam folur edhe me terapisten time. Gjithçka në jetën time është epike, por kjo ishte pjesa e mozaikut që më mungonte – dhe pastaj ai u shfaq”, ka rrëfyer Perry.
Gjatë muajve të fundit, Trudeau ka qenë një mbështetje e madhe për këngëtaren. Perry zbuloi se ai ka qenë i pranishëm në publik në dhjetë nga 20 koncertet e saj të fundit.
“Ai i di tekstet e këngëve, më mbështet dhe më admiron. Kjo vërtet shëron”, ka thënë ajo. “Ai është një person që udhëhiqet nga zemra dhe mendoj se në këtë jemi të ngjashëm. Jam shumë mirënjohëse”, shtoi Perry.
Pas përfundimit të turneut, Perry dëshiron t’i kushtohet jetës së përditshme. Ajo nuk dyshon se përvojat e reja një ditë mund të shërbejnë si frymëzim për këngë të reja, por për momentin nuk dëshiron të mendojë shumë për atë që vjen më pas.
“E jetoj jetën time në mënyrë që të kem për çfarë të shkruaj”, ka përfunduar këngëtarja. /Telegrafi/
