Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ermal Sadiku, ka bërë thirrje për ruajtjen e demokracisë së brendshme në parti, duke thënë se mendimi ndryshe nuk duhet të shihet si kërcënim apo tradhti.
Në një postim të gjatë, Sadiku ka renditur disa parime që, sipas tij, duhet ta udhëheqin LDK-në, ndërsa theks të veçantë i ka kushtuar debatit të brendshëm dhe të drejtës për të kundërshtuar edhe udhëheqjen e partisë.
“LDK-ja duhet ta ruajë demokracinë e brendshme me çdo kusht”, ka shkruar Sadiku.
Ai ka thënë se demokracia e brendshme mund të sjellë debate, mendime të ndryshme dhe mospajtime, por pikërisht kjo, sipas tij, duhet të jetë forcë dhe jo dobësi për një parti politike.
Në këtë kontekst, Sadiku ka përmendur edhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti duke thënë se një qasje e tillë e dallon LDK-në nga ajo që ai e cilëson si autokratike.
“Dhe pikërisht për këtë mund të sulmohemi nga autokratë si Kurti, që mendimin ndryshe nuk e shohin si vlerë, por si kërcënim”, ka shkruar Sadiku.
Megjithatë, ai ka theksuar se LDK-ja nuk duhet të shndërrohet në kopje të kundërshtarëve të saj vetëm për t’i mposhtur ata.
“Por LDK-ja nuk duhet të bëhet si kundërshtari për ta mundur kundërshtarin”, ka deklaruar ai.
Sadiku ka vlerësuar se një parti e fortë nuk ndërtohet mbi bindjen se të gjithë duhet të mendojnë njësoj, por mbi mundësinë që anëtarët të shprehin lirshëm qëndrimet e tyre.
“Një parti ku të gjithë duhet të mendojnë si kryetari nuk është parti e fortë. Është parti e varur nga një njeri”, ka shkruar ai.
Ai ka kërkuar që LDK-ja të jetë një parti ku mund të ketë kundërshtime ndaj kryetarit pa pasoja politike dhe ku kritika të mos trajtohet si tradhti.
“LDK-ja duhet të jetë e kundërta: parti ku mund ta kundërshtosh kryetarin dhe prapë ta duash partinë; ku mund të humbësh një votim, por jo të drejtën për të folur; ku debati nuk konsiderohet tradhti dhe kritika nuk dënohet”, ka theksuar Sadiku.
Sipas tij, ruajtja e kësaj kulture demokratike duhet të jetë prioritet edhe nëse kjo i kushton LDK-së në aspektin elektoral.
“Zgjedhjet mund t’i humbësh dhe t’i fitosh përsëri. Por nëse e humb demokracinë brenda partisë, ke humbur një pjesë të arsyes pse duhet t’i kërkosh qytetarit ta mbrojë demokracinë në shtet”, ka përfunduar ai.
“Kjo është LDK-ja që unë dua ta shoh”, ka shkruar Sadiku. /Telegrafi/
