Mbi gjysmë milioni nxënës dhe mësues në qytetin e New York-ut do të përballen me kufizime të reja për përdorimin e inteligjencës artificiale gjatë vitit të ri akademik 2026–2027.
Shkollat publike të New York-ut, distrikti më i madh shkollor në Shtetet e Bashkuara, ka konfirmuar se do të vendosë një moratorium mbi përdorimin e inteligjencës artificiale gjenerative për nxënësit nga niveli parashkollor 2-K deri në klasën e 8-të.
Vendimi do të prekë nxënësit e moshave të hershme, ndërsa shkollat pritet të rikthehen javën e ardhshme me rregullat e reja për përdorimin e teknologjisë, transmeton Telegrafi.
Kryetari i Bashkisë së New York-ut, Zohran Mamdani, tha se qyteti do të përdorë vitin e ardhshëm për të studiuar ndikimin e inteligjencës artificiale në arsim.
Sipas tij, qëllimi është që autoritetet të kuptojnë më mirë se si kjo teknologji ndikon te nxënësit, procesi mësimor dhe mënyra se si zhvillohet arsimi në shkolla.
Vendimi vjen në një kohë kur përdorimi i mjeteve të inteligjencës artificiale nga nxënësit është kthyer në një nga debatet më të mëdha në sistemet arsimore amerikane.
Ndërsa disa teknologji të AI mund të ndihmojnë në mësim dhe kërkim, kritikët paralajmërojnë për kopjimin, varësinë nga teknologjia, dobësimin e aftësive të të shkruarit dhe të menduarit kritik, si dhe vështirësitë për të dalluar punën e nxënësit nga ajo e gjeneruar nga AI.
Nga ana tjetër, disa ekspertë të arsimit kanë kërkuar jo domosdoshmërisht ndalime të plota, por rregulla të qarta dhe udhëzime zyrtare për mënyrën se si inteligjenca artificiale duhet të përdoret në shkolla.
New York-u duket se ka zgjedhur një qasje më kufizuese, duke vendosur një periudhë njëvjeçare për të vlerësuar ndikimin e teknologjisë përpara se të vendosë se si do të lejohet përdorimi i saj në të ardhmen. /Telegrafi/
