Apple thuhet se ka testuar një laps të shkurtër (stylus) për iPhone-in e saj të palosshëm, me mundësi fiksimi magnetik dhe karikimi pa tela, por mund të heqë dorë nga ai para lansimit zyrtar.
Sipas Mark Gurman të Bloomberg, Apple ka testuar një laps shtesë për iPhone-in e palosshëm, i cili pritet të prezantohet së shpejti.
Prototipi ishte më i shkurtër se Apple Pencil që përdoret me iPad, ndërsa ishte projektuar për t’u vendosur në mënyrë magnetike në anën e telefonit dhe për t’u karikuar pa tela.
Megjithatë, sipas Gurman, Apple mund të heqë dorë nga kjo ide, edhe për shkak të qëndrimit të famshëm të Steve Jobs ndaj lapsave elektronikë. Gjatë prezantimit të iPhone-it të parë në vitin 2007, Jobs kishte argumentuar se përdoruesit nuk kanë nevojë për një stylus, pasi telefoni mund të përdoret me gishta dhe teknologjinë multitouch.
Prej vitit 2021 janë shfaqur herë pas here thashetheme se Apple po punon për një telefon të palosshëm, ndërsa gjatë muajve të fundit janë shtuar ndjeshëm raportimet për pajisjen.
Sipas modeleve të publikuara, Apple duket se po zgjedh një dizajn horizontal, të ngjashëm me një libër, në vend të modelit “guaskë”. Ekrani i jashtëm pritet të jetë rreth 5.5 inç, ndërsa ai i brendshëm ndërmjet 7.8 dhe 8 inç.
Ka gjithashtu raportime se Apple mund të heqë dorë nga Face ID dhe ta zëvendësojë atë me Touch ID të integruar në butonin anësor të ndezjes.
iPhone-i i palosshëm pritet të jetë telefoni më i shtrenjtë që Apple ka shitur ndonjëherë. Disa analistë parashikojnë një çmim fillestar prej 1,999 deri në 2,320 dollarë, ndërsa versioni me 1 TB memorie mund të kushtojë afro 2,900 dollarë. /Telegrafi/
