Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë periudhës 18–31 gusht 2026 ka realizuar kontrolle të shtuara ndaj mjeteve me dy rrota, konkretisht motoçikletave dhe trotinetëve, në kuadër të masave për rritjen e sigurisë në trafik në kryeqytet.
Gjatë këtyre kontrolleve, Policia ka evidentuar shkelje të ndryshme të rregullave të trafikut, duke shqiptuar gjoba ndaj shkelësve dhe duke konfiskuar mjetet që nuk i kanë plotësuar kushtet për pjesëmarrje në trafik.
Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, gjatë kësaj periudhe janë evidentuar: 79 raste të drejtimit të motoçikletës pa patentë shofer, 38 raste të drejtimit të motoçikletës pa regjistrim, 89 raste të drejtimit të motoçikletës pa helmetë, 48 motoçikleta të konfiskuara, 1 trotinet i konfiskuar, 78 gjoba të tjera ndaj drejtuesve të mjeteve me dy rrota.
Policia ka bërë të ditur se kontrollet dhe angazhimet në trafik do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, me qëllim të parandalimit të shkeljeve dhe rritjes së sigurisë për të gjithë pjesëmarrësit në trafik.
Njëkohësisht, Policia e Kosovës u ka bërë apel drejtuesve të motoçikletave dhe trotinetëve që të respektojnë rregullat e trafikut dhe të kujdesen për sigurinë e tyre dhe të pjesëmarrësve të tjerë në rrugë. /Telegrafi/
