KORREKT / SOT1 nëntor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Kulture

Mali i Zi drejt BE-së: A do të përpiqet Serbia ta ndalë anëtarësimin e Podgoricës?

Mali i Zi drejt BE-së: A do të përpiqet Serbia ta ndalë anëtarësimin e Podgoricës?

Mali i Zi po i afrohet gjithnjë e më shumë anëtarësimit në Bashkimin Evropian, por në Bruksel po rriten shqetësimet se Serbia mund të përpiqet ta pengojë këtë proces, shkruan euronews.

Podgorica konsiderohet aktualisht kandidati më i avancuar i Ballkanit Perëndimor drejt anëtarësimit në BE, ndërsa procesi i Serbisë ka ngecur ndjeshëm. Beogradi ende nuk ka hapur të gjitha grup-kapitujt e negociatave dhe përpjekja e fundit për të bërë përparim u bllokua nga tetë shtete anëtare.

Sipas zyrtarëve, diplomatëve dhe ekspertëve evropianë, shqetësimi kryesor lidhet me ndikimin politik të Beogradit brenda Malit të Zi, përmes forcave politike pro-serbe, mediave dhe Kishës Ortodokse Serbe.

Ish-zëvendëskryeministrja malazeze Jovana Maroviq akuzon Serbinë se po përpiqet të ndikojë në identitetin dhe politikën e brendshme të vendit, duke përfshirë edhe përpjekjet për t’i dhënë serbishtes status zyrtar krahas gjuhës malazeze.

Një tjetër pikë tensioni është përplasja rreth identitetit historik dhe politik të Malit të Zi, ndërsa forcat pro-serbe kanë mbështetur iniciativa që synojnë të ndryshojnë qasjen e Podgoricës ndaj çështjeve si Kosova dhe identiteti shtetëror malazez.

Megjithatë, deri tani këto përpjekje nuk kanë arritur ta ndalin procesin e integrimit evropian. Përkundrazi, elita politike malazeze ka ruajtur një konsensus relativisht të gjerë për reformat e kërkuara nga BE-ja.

Eksperti i Ballkanit Florian Bieber paralajmëron se Serbia mund të tentojë të luajë rolin e “prishësit” të procesit, pasi anëtarësimi i Malit të Zi në BE do ta zvogëlonte ndikimin e Beogradit në Podgoricë dhe do të sfidonte rolin e Serbisë si fuqia kryesore rajonale.

Rreth një e treta e popullsisë së Malit të Zi deklarohet serbe, ndërsa lidhjet historike, politike, fetare dhe kulturore me Serbinë mbeten të forta.

Nga ana tjetër, ambasadori i Serbisë në BE, Danijel Apostoloviq, i ka mohuar akuzat, duke deklaruar se Beogradi nuk ka interes të ndërhyjë në procesin e anëtarësimit të Malit të Zi dhe se fokusi i tij është te reformat e Serbisë.

Për Brukselin, situata është veçanërisht delikate: Mali i Zi është vendi më pranë anëtarësimit, ndërsa Serbia konsiderohet një nga shtetet më të rëndësishme gjeopolitikisht në Ballkanin Perëndimor.

Prandaj, beteja për anëtarësimin e Malit të Zi nuk është vetëm një proces reformash drejt BE-së. Ajo mund të shndërrohet edhe në një përballje të re për ndikimin politik dhe gjeopolitik në Ballkan. /Telegrafi/

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.