BDI ka reaguar sot ndaj marrëveshjes së prezantuar nga zëvendësministri i Arsimit, Driton Sulejmani, për nxënësit shqiptarë të Sh.F. “Petar Zdravkovski – Penko” në Butel.
Nga atje thonë se sipas deklarimeve publike, është arritur një marrëveshje ndërmjet Ministrisë së Arsimit dhe Komunës së Butelit, sipas së cilës nxënësit nga Çairi që banojnë pranë shkollës do të pranohen në klasat e para, por vetëm nëse kanë vëlla apo motër që tashmë ndjek mësimin në këtë shkollë. Në të njëjtën kohë, thuhet se kjo nuk do të nënkuptojë hapjen e një paraleleje të re në gjuhën shqipe.
“Kjo nuk është zgjidhje. Kjo është një mënyrë për ta kufizuar dhe kushtëzuar të drejtën e fëmijëve shqiptarë për arsim në gjuhën amtare.
BDI pyet publikisht: Pse një fëmijë shqiptar duhet të ketë vëlla, motër që ndjekë mësimin në këtë shkollë për të pasur të drejtën të regjistrohet në të?
E drejta për arsim në gjuhën shqipe nuk mund të varet nga historia familjare e nxënësit. Çfarë rregulle e re po shpiket vetëm që numri i nxënësve shqiptarë të reduktohet?
Nëse ka interesim të mjaftueshëm të nxënësve shqiptarë për krijimin e një paraleleje në gjuhën shqipe, institucionet kanë për detyrë të krijojnë kushtet për hapjen e saj, e jo të vendosin filtra dhe kritere shtesë që nuk zbatohen në mënyrë të barabartë.
BDI rikujton se bëhet fjalë për fëmijë të klasës së parë, për të cilët fillimi i arsimit duhet të jetë një e drejtë e garantuar, jo një proces përjashtues diskriminues e as i kushtëzuar.
BDI kërkon nga Ministria e Arsimit dhe Komuna e Butelit: të publikojnë numrin e saktë të fëmijëve shqiptarë që kanë kërkuar regjistrim; të publikojnë kriteret mbi të cilat është bërë përzgjedhja;të garantojnë regjistrimin e të gjithë nxënësve që plotësojnë kushtet ligjore; të mundësojnë hapjen e paraleles në gjuhën shqipe nëse numri i nxënësve e justifikon atë;dhe të ndalojnë çdo praktikë që, drejtpërdrejt ose tërthorazi, kufizon të drejtën e fëmijëve shqiptarë për arsim në gjuhën shqipe.
Arsimi nuk është privilegj që jepet me marrëveshje politike. Është e drejtë”, thonë nga BDI./Telegrafi/
