Baton Zabërgja ka qenë protagonist kryesor në fitoren e Metalist Kharkiv në elitën e futbollit ukrainas.
Sulmuesi kosovar realizoi dy gola në triumfin bindës 3-0 të Metalist Kharkiv ndaj Zorya Luhansk, në ndeshjen e vlefshme për xhiron e katërt të kampionatit ukrainas.
Zabërgja gjeti rrugën drejt golit në pjesën e dytë, duke shënuar fillimisht golin e dytë të skuadrës së tij në minutën e 54-të. Sulmuesi nga Vushtrria nuk u ndal me kaq, pasi vetëm 11 minuta më vonë realizoi edhe golin e tretë, duke vulosur fitoren e Metalist Kharkiv.
25-vjeçari qëndroi në fushë deri në minutën e 76-të, ndërsa bashkëlojtari i tij te skuadra ukrainase, Ermir Rashica, u inkuadrua në lojë në minutën e 62-të.
Për Zabërgjën, këto ishin dy golat e parë në edicionin e ri të kampionatit ukrainas, duke shënuar një paraqitje të shkëlqyer në këtë përballje.
– YouTube www.youtube.com
Sulmuesi kosovar ka qenë produktiv edhe në Kupën e Ukrainës, ku deri më tani ka regjistruar një gol dhe dy asistime. /Telegrafi/
