Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka folur para mediave pas takimit të radhës me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, lidhur me çështjen e zgjedhjes së presidentit të Kosovës.
Abdixhiku tha se që nga 9 korriku janë zhvilluar takime dhe diskutime të vazhdueshme për këtë çështje, duke theksuar se bisedimet nuk kanë qenë të lehta, por kanë qenë shteruese.
Ai tha se palët kanë qenë të përkushtuara për të gjetur një emër konsensual për presidentin e vendit.
“Bisedimet nuk ishin të lehta, por ishin shteruese. Kemi qenë të përkushtuar të përcaktohemi për një emër konsensual për president”, deklaroi Abdixhiku.
Ai bëri të ditur se emri për të cilin janë dakorudar është Bekim Sejdiu, duke e vlerësuar lart karrierën e tij.
Abdixhiku tha se Sejdiu ka një karrierë të shquar dhe të pasur, ndërsa propozimi i tij është bërë në kuadër të përpjekjeve për të gjetur një figurë që mund të ketë mbështetje konsensuale.
Takimi i sotëm mes Kurtit dhe Abdixhikut është zhvilluar në ambientet e Kuvendit të Kosovës, ndërsa çështja e presidentit mbetet në qendër të diskutimeve politike.
