Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se Kryeqyteti ka nisur procedurat për themelimin e një ndërmarrjeje të re publike komunale për pastrimin, me kapacitete të dedikuara vetëm për Prishtinën.
Vendimi është marrë, sipas Ramës, pas bllokimit të vazhdueshëm të projektit prej 74.1 milionë eurosh me Bankën Gjermane për Zhvillim – KfW, i cili synonte modernizimin e sistemit të pastrimit dhe menaxhimit të mbeturinave.
Rama, së bashku me nënkryetaren Besianë Musmurati dhe nënkryetarin Florian Dushi, ka prezantuar dokumentet dhe kronologjinë e këtij projekti, duke pretenduar se marrëveshja ka mbetur e bllokuar për shkak të mosnënshkrimit nga Ministri i Financave, Hekuran Murati.
“Prishtina nuk mund të presë pafundësisht një nënshkrim nga Hekuran Murati. Nëse Qeveria ka zgjedhur ta bllokojë financimin, ne kemi zgjedhur ta krijojmë zgjidhjen. Do ta themelojmë ndërmarrjen e re të pastrimit të Kryeqytetit”, ka deklaruar Rama.
Sipas komunës, projekti me KfW-në ishte i ndarë në dy faza. Faza e parë, në vlerë prej 24.1 milionë eurosh, parashihte rreth 100 kamionë të rinj, 10 mijë kontejnerë për ndarjen e mbeturinave dhe platforma për vendosjen e tyre.
Faza e dytë, me vlerë prej 50 milionë eurosh, përfshinte kapacitete shtesë, si dhe qendra për kompostim dhe riciklim.
Komuna ka bërë të ditur se më 26 shtator 2024, KfW-ja i kishte dërguar Ministrisë së Financave draftet e marrëveshjeve për grantin prej 4.1 milionë eurosh dhe kredinë e butë prej 20 milionë eurosh. Sipas saj, marrëveshja nuk është nënshkruar, ndërsa pa përgjigje ka mbetur edhe letra e përbashkët e Kryeqytetit dhe KfW-së, e dërguar më 15 maj 2026.
Nënkryetarja Besianë Musmurati ka deklaruar se si pasojë e këtij bllokimi, Prishtina nuk i ka përfituar 100 kamionët shtesë, 10 mijë kontejnerët dhe sistemin e planifikuar për riciklim.
Ndërkaq, nënkryetari Florian Dushi ka bërë të ditur se Ligji për Kryeqytetin ia mundëson Prishtinës themelimin e ndërmarrjes së re pa pëlqimin e Qeverisë.
Aktualisht, sipas tij, janë duke u përgatitur plani i biznesit dhe analiza financiare, pas së cilave propozimi do t’i dërgohet për shqyrtim dhe miratim Kuvendit të Kryeqytetit.
Rama ka siguruar gjithashtu punëtorët aktualë të Kompanisë Rajonale “Pastrimi” se askush nuk do të mbetet pa punë, duke thënë se ata do të sistemohen dhe do të jenë pjesë e sistemit të ri.
Kryetari i Prishtinës ka theksuar se synimi është krijimi i një sistemi të dedikuar për kryeqytetin, i cili do të jetë më funksional, efikas dhe i qëndrueshëm në menaxhimin e pastrimit dhe mbeturinave. /Telegrafi/
