Kryetari i Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini, ka njoftuar se ka përfunduar me sukses aksioni për shuarjen e zjarrit në deponinë e mbeturinave.
Xheladini ka bërë të ditur se ekipet e zjarrfikësve kanë përfunduar ndërhyrjen, ndërsa ka shprehur shpresën që zjarri të mos riaktivizohet dhe që komuna të mos përballet me raste të tjera të zjarreve.
Ai ka falënderuar zjarrfikësit për angazhimin e tyre, ndërsa një falënderim të veçantë e ka adresuar për kryeshefin e Ekoregjionit, Burim Shalën, i cili, sipas tij, iu përgjigj menjëherë kërkesës për ndihmë dhe dërgoi tre autocisterna në vendin e ngjarjes.
Xheladini ka falënderuar gjithashtu qytetarët Behar Rakipi nga Bllaqa dhe Maksut Tosuni nga Bresana për ndihmën e dhënë gjatë aksionit. /Telegrafi/
