Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se po bllokon ndërtimin e Kompleksit Memorial “Adem Jashari” dhe të nëkalimit në rrugën “Agim Ramadani” në kryeqytet.
Rama ka thënë se projektet janë të gatshme dhe se procedurat e nevojshme tashmë janë përfunduar, duke mbetur vetëm nisja e punimeve.
Sipas tij, nëkalimi do të mundësonte largimin e trafikut nga sipërfaqja dhe krijimin e një hapësire të re publike pranë Xhamisë së Çarshisë, Muzeut Kombëtar dhe zonës së Qytetit të Vjetër.
“Projektin që i hap rrugë edhe ndërtimit të Kompleksit ‘Adem Jashari’, i cili i ka kaluar të gjitha proceset e nevojshme me Kryeqytetin”, ka shkruar Rama.
Ai ka pretenduar se Vetëvendosje po i bllokon projektet në mënyrë, siç e ka cilësuar ai, “jashtëligjshëm”.
“Kujt po i konvenon një Kosovë pa zhvillim? Kush po e zbaton planin me e bo Kosovën me u duk si ‘Kandahar’? Me urdhër të kujt po bllokohet Kryeqyteti?”, ka deklaruar Rama.
Kryetari i Prishtinës ka kërkuar përgjigje për mbi 300 mijë qytetarët e kryeqytetit, duke pretenduar se bllokimi i këtyre projekteve lidhet me një agjendë politike./Telegrafi/
