Partitë politike të Luginës së Preshevës Partia për Veprim Demokratik (PVD) Partia Demokratike Shqiptare (PDSH) Partia Demokratike (PD) dolën me deklaratë të përbashkët për kandidaturën e Faton Bislimit për president të Republikës së Kosovës
“Ne, përfaqësuesit e partive politike shqiptare të Luginës së Preshevës, duke u nisur nga përgjegjësia jonë politike dhe kombëtare ndaj shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, si dhe nga nevoja për forcimin e lidhjeve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe shqiptarëve të Luginës, shprehim përkrahjen tonë për z. Faton Bislimi si kandidat për President të Republikës së Kosovës.
Ne e konsiderojmë z. Bislimi një figurë me profil mbipartiak, të pavarur dhe unifikues, veçanërisht të përshtatshëm për rrethanat aktuale politike në Kosovë. Përvoja e tij dhe qëndrimi i tij publik ndër vite dëshmojnë se ai ka qenë në gjendje të bashkëpunojë përtej vijave partiake dhe politike, duke vendosur mbi interesat partiake interesin shtetëror të Kosovës, marrëdhënien strategjike me Shtetet e Bashkuara dhe interesin kombëtar shqiptar.
Një prej arsyeve kryesore për përkrahjen tonë është kontributi i tij i jashtëzakonshëm dhe i vazhdueshëm për çështjen e shqiptarëve të Luginës së Preshevës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Për më shumë se dy dekada, z. Bislimi ka përdorur marrëdhëniet dhe kredibilitetin e tij në Ëashington për ta mbajtur çështjen e Luginës në vëmendjen e politikëbërësve amerikanë, në mënyrë të veçantë në Kongresin dhe Senatin e Shteteve të Bashkuara.
Ky angazhim ka qenë qartësisht bipartisan, duke përfshirë bashkëpunim dhe komunikim me përfaqësues të të dyja partive kryesore amerikane. Ndër personalitetet amerikane me të cilët ai ka bashkëpunuar apo ka ndërmjetësuar komunikime lidhur me çështjen e shqiptarëve të Luginës janë Senatorja Joni Ernst dhe Senatori Gary Peters, si dhe kongresistët Jim Himes, Jim McGovern dhe Keith Self, ndër të tjerë.
Nëpërmjet këtij angazhimi, z. Bislimi ka kontribuar në:
• organizimin dhe zhvillimin e takimeve me anëtarë të Kongresit dhe Senatit të SHBA-së për çështjen e Luginës;
• ofrimin e brifingut në institucionet e Kongresit dhe Senatit mbi gjendjen dhe sfidat e
shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc;
• përcjelljen e shqetësimeve dhe kërkesave të përfaqësuesve politikë shqiptarë të Luginës te vendimmarrësit amerikanë;
• sigurimin e letrave dhe deklarimeve publike të senatorëve dhe kongresistëve amerikanë, nga të dyja partitë, në mbështetje të të drejtave dhe interesave legjitime të shqiptarëve të Luginës;
• mbajtjen e çështjes së Luginës në agjendën e vazhdueshme të politikës amerikane ndaj Ballkanit Perëndimor.
Për ne, kjo përvojë është veçanërisht e rëndësishme sepse tregon se z. Bislimi nuk e ka trajtuar çështjen e Luginës si një interes të momentit apo si pjesë të një agjende të ngushtë partiake. Përkundrazi, angazhimi i tij ka qenë afatgjatë, i qëndrueshëm dhe mbi baza bipartizane, duke kërkuar mbështetjen e Shteteve të Bashkuara pavarësisht se cila parti ka qenë në pushtet në Washington.
Ne besojmë se kjo përvojë do t’i shërbente Republikës së Kosovës në mënyrë të veçantë nëse z. Bislimi do të zgjidhej President. Kosova ka nevojë për një President që mund të komunikojë me të gjitha forcat politike brenda vendit dhe me të dyja krahët e politikës amerikane jashtë vendit.
Për më tepër, ne e konsiderojmë të rëndësishme që një figurë me këtë histori të angazhimit për
shqiptarët e Luginës të ketë mundësinë të përfaqësojë Republikën e Kosovës në nivelin më të lartë institucional.
Për këto arsye, ne shprehim përkrahjen tonë për kandidaturën e z. Faton Bislimi për President të Republikës së Kosovës dhe e konsiderojmë atë një kandidat serioz për një zgjidhje konsensuale, mbipartiake dhe unifikuese në interes të Republikës së Kosovës dhe të kombit shqiptar”, thuhet në deklaratën e përbashkët të partive politike në Luginë e Preshevës: Partia për Veprim Demokratik (PVD) Partia Demokratike Shqiptare (PDSH) dhe Partia Demokratike (PD).
