Flaka Loxha ka fituar medaljen e bronztë në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”, duke i sjellë Kosovës një tjetër medalje në garat e xhudos.
Loxha ishte e lirë në xhiron e parë, ndërsa në çerekfinale u përball me italianen Michela Terranova.
Xhudistja kosovare zhvilloi një paraqitje të mirë dhe arriti ta mposhtë Terranovën me Yuko, duke siguruar kualifikimin në gjysmëfinale.
Në luftën për një vend në finale, Loxha u përball me kroaten Ana Viktorija Puljiz. Megjithatë, këtë herë kosovarja pësoi humbje me Waza-ari, duke mbetur jashtë finales.
Loxha pati mundësinë të rikthehej në luftën për medalje dhe e shfrytëzoi atë në mënyrën më të mirë.
Në duelin për medaljen e bronztë, ajo u përball me turken Aysenur Budak, të cilën arriti ta mposhtë, duke siguruar kështu vendin në podium.
Me këtë sukses, Flaka Loxha shpallet medaliste e bronztë e Lojërave Mesdhetare “Taranto 2026”, duke i dhuruar Kosovës një tjetër rezultat të rëndësishëm në xhudo. /Telegrafi/
