Ortopedia moderne ka shënuar përparime të mëdha, sidomos në vendosjen e protezave të gjurit dhe kërdhokullës. Teknikat kirurgjikale, materialet dhe mënyra e trajtimit pas operacionit kanë bërë që pacientët të mobilizohen më shpejt dhe t’i kthehen më herët jetës aktive.
Për këto zhvillime ka folur Muharrem Hajdari, specialist i ortopedisë në podcastin “Shëndeti në rend të parë”, i mbështetur nga United Hospital dhe Qendra Laserike e Syrit Kubati.
Duke folur për protezat dhe teknikat moderne kirurgjikale, Hajdari tha se ndërtimi i protezave dhe mënyra e vendosjes së tyre kanë evoluar vazhdimisht.
“Teknika, domethënë ndërtimi i protezave, gjithnjë ka evoluar, edhe metodat kirurgjikale të vendosjes së tyre”, tha ai.
Sipas tij, qëllimi i kirurgjisë moderne është që ndërhyrjet të bëhen sa më minimalisht invazive, me prerje më të vogla dhe me dëmtim sa më të vogël të muskujve.
“Vendosen në mënyrë minimalisht invazive, domethënë me një prerje shumë të vogël, nuk dëmtohen muskujt”, shpjegoi Hajdari.
Ai theksoi se ky zhvillim ka ndikuar drejtpërdrejt në rikuperimin më të shpejtë të pacientëve pas ndërhyrjes.
“Pacientët remobilizohen shumë më shpejt”, tha ai.
Duke krahasuar përvojën e tij në Gjermani dhe në Kosovë, Hajdari tha se pacientët zakonisht ngrihen nga shtrati që në ditën e parë pas operimit.
“Pacientët tanë atje dhe këtu zakonisht në ditën e parë zgjohen nga regjimi i shtratit”, u shpreh ai.
Madje, sipas tij, në rastet kur ndërhyrja kryhet herët në mëngjes, pacientët mund të ecin që në mbrëmje.
“Nëse operohet herët në mëngjes, në mbrëmje të gjithë ecin”, tha Hajdari.
Në podcast, ai u pyet edhe se sa kanë avancuar endoprotezat dhe teknikat kirurgjikale në Kosovë dhe nëse një pacient mund të presë kthim në një jetë normale e aktive pas ndërhyrjes.
Për më shumë shikoni të plotë podcastin “Shëndeti në rend të parë”:
– YouTube www.youtube.com
