Pamje të glorifikimit të kriminelit të dënuar të luftës, Ratko Mlladiq, janë regjistruar të enjten në mbrëmje në disa qytete të entitetit Republika Serbe në Bosnje dhe Hercegovinë, pas lajmit për vdekjen e tij, shkruan Telegrafi.
Disa qindra persona, në mesin e tyre edhe një numër i madh të rinjsh, u mblodhën në Zvornik dhe marshuan nëpër qytet duke brohoritur emrin e Mlladiqit.
Sipas mediumit boshnjak Klix.ba, pjesëmarrësit mbanin edhe pankarta dhe flamurin e Ushtrisë së Republikës Serbe.
Mesazhe të ngjashme janë regjistruar edhe në Vishegrad, ku në rrjetet sociale është rishpërndarë një video e realizuar më 9 janar, gjatë shënimit të Ditës së Republikës Serbe, të cilën Gjykata Kushtetuese e Bosnjë-Hercegovinës e ka shpallur antikushtetuese.
Në pamje shihen dhjetëra persona duke ndezur flakadanë dhe fishekzjarre në urën e Mehmed Pashë Sokoloviqit, ndërsa krahas videos ishte publikuar një mesazh në nderim të Mlladiqit.
Ndërkohë, në qytete të tjera të Republikës Serbe, qytetarë janë mbledhur në sheshe dhe kanë ndezur qirinj në kujtim të Mlladiqit. Në disa kisha janë mbajtur edhe shërbesa përkujtimore.
Durakoviq reagon ndaj pamjeve nga Zvorniku
Ndaj pamjeve ka reaguar ashpër edhe nënkryetari i Republikës Serbe, Qamil Durakoviq ( që vjen nga nacionaliteti boshnjak) , i cili ka rikujtuar krimet e kryera ndaj boshnjakëve në Zvornik gjatë luftës.
Durakoviq tha se ngjarja nuk po ndodh në ndonjë qytet të Serbisë, por pikërisht në Zvornik – një qytet ku, sipas tij, njerëzit e Mlladiqit zbatonin urdhrat e tij.
“Ky është Zvorniku – ky është qyteti ku qentë e luftës të Mladiqit zbatonin urdhrat e tij. Ky është qyteti i varrezave masive të popullit tim”, deklaroi Durakoviq.
Ai theksoi gjithashtu se nga Zvorniku janë dëbuar dhjetëra mijëra boshnjakë, ndërsa reagoi ashpër ndaj faktit që njerëzit po glorifikojnë figurën e Mlladiqit në të njëjtin qytet.
Durakoviq kërkoi gjithashtu reagim nga institucionet shtetërore.
“Pyes qartë dhe me zë të lartë: a ekziston shteti, a ekzistojnë institucionet dhe, nëse ekzistojnë, a do të reagojnë apo gjithçka do të mbetet në komunikata të parëndësishme?”, tha ai.Ai e cilësoi atë që po ndodh si “fazën përfundimtare të gjenocidit”, duke shtuar se “të gjithë shikojnë dhe heshtin”.
Ratko Mlladiq, ish-komandant i Ushtrisë së Republikës Serbe, ishte dënuar me burgim të përjetshëm për gjenocidin në Srebrenicë, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte./Telegrafi/.
