Ministrja e Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujevci, ka bërë të ditur se Xhamia e Burojës, e ndërtuar në vitin 1722, po hyn në fazën përfundimtare të restaurimit.
Një nga xhamitë më të vjetra në Drenicë, Xhamia e Burojës ka një histori të lidhur me patriotizmin e Mulla Ilaz Brojës, arsimin shqip dhe luftën çlirimtare.
“Me historinë e saj të lidhur me patriotizmin e Mulla Ilaz Brojës, arsimin shqip dhe luftën çlirimtare, kjo hapësirë po rikthehet në identitet”, ka shkruar Bogujevci.
Ajo ka njoftuar se pas restaurimit do të nisë edhe procesi i muzealizimit të xhamisë, me qëllim ruajtjen dhe përcjelljen te brezat e ardhshëm të historisë, besimit dhe rezistencës që mbart ky objekt.
Bogujevci ka theksuar rëndësinë e ruajtjes së trashëgimisë kulturore dhe historike të këtij objekti për brezat e ardhshëm. /Telegrafi/
