Chevrolet po e ngre një nivel më lart Traverse High Country, duke i dhënë SUV-it të madh amerikan një pamje më premium dhe teknologji të reja për modelin e vitit 2027.
Versioni i ri vjen në një moment pozitiv për Traverse, pasi Chevrolet raporton rritje të ndjeshme të shitjeve gjatë vitit 2026, pas suksesit të gjeneratës së ridizajnuar në vitin 2025, transmeton Telegrafi.
Në pjesën e jashtme, Traverse High Country 2027 merr logo të reja në dyert e përparme dhe në derën e bagazhit, ndërsa grila dhe zona rreth dritave marrin një përfundim elegant Tritan Satin. Pamja plotësohet nga rrotat e reja 22-inç, me kombinim të së zezës me sipërfaqe të përpunuara.
Ndryshimet vazhdojnë edhe në kabinë. High Country do të ketë materiale më cilësore për sediljet, elemente prej druri të vërtetë dhe mbështetëse koke me detaje të stampuara, duke synuar një ndjesi më luksoze.
– YouTube www.youtube.com
Një nga risitë më interesante është kamera e re e brendshme, e cila do të jetë standarde në versionet RS dhe High Country. Sistemi u mundëson drejtuesve të kontrollojnë pasagjerët në rreshtat e dytë dhe të tretë, përfshirë fëmijët apo kafshët shtëpiake.
Traverse do të ofrojë gjithashtu një Surround Vision Recorder, që mund të regjistrojë pamjet gjatë drejtimit, si dhe një sistem Security Recording, i cili mund të monitorojë automjetin edhe kur ai është i parkuar.
Prodhimi i Traverse High Country 2027 pritet të nisë në shtator, ndërsa Chevrolet ende nuk ka zbuluar çmimin zyrtar.
Megjithatë, duke marrë parasysh pajisjet dhe pozicionimin e tij si versioni më i avancuar i Traverse, çmimi fillestar pritet të jetë rreth 60 mijë dollarë.
Chevrolet duket se po e shndërron Traverse High Country në një alternativë edhe më luksoze për familjet që kërkojnë hapësirë, teknologji dhe pamje premium pa kaluar në segmentin e SUV-ve luksoze. /Telegrafi/
